Friday, October 4, 2024

Fushata e Vazhdueshme Iraniane e Keqinformimit

 Nga Wes Martin -10 dhjetor 2018  

Përveç shërbimit të tij si Oficer i Lartë i Anti-terrorizmit për të gjitha Forcat e Koalicionit në Irak, si Shef i Operacioneve për Task-Forcën 134 (Operacionet e Paraburgimit), dhe si Komandant i Kampit Ashraf, Koloneli Martin ka shërbyer gjithashtu si Shef i Operacioneve të Informacionit për Departamentin amerikan të Ushtrisë 

Një hetim nga Reuters zbuloi muajin e shkuar se një agjensi e bazuar në Teheran ka futur propagandë përmes te paktën 70 uebsiteve tek shumë vende në mbarë botën. Disidentët iranianë janë një nga shënjestrat parësore të fushatës së ajatollahëve për keqinformim.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe organizata e lidhur me të, Mujahedin-e Khalq (MeK) janë ndoshta dy organizatat për të cilat thuhen më shumë gënjeshtra në botë. Shumica e gënjeshtrave janë fabrikuar nga regjimi i Khomeini-t vite më parë, por mbeten ende në qarkullim. Versione të reja të tyre janë shfaqur në artikullin e gjatë të The Guardian në datën 9 nëntor, të titullar, “Terroristë, kultistë – apo kampionë të demokracisë iraniane? Historia e pabesueshme e MeK.”

Ky artikull i shkruar nga Aaron Reza Merat është jo vetëm një sulm ndaj MeK, por edhe ndaj të vërtetës vetë. Me MeK, që përkthehet si Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI), u njoha në vitin 2003 ndërsa shërbeja si Oficeri i parë për Anti-terrorizmin për të gjitha Forcat e Koalicionit në Irak.  Në atë kohë, krahu ushtarak i MeK, Ushtria Kombëtare e Çlirimit (NLA), kishte disa baza brenda Irakut.

Kjo ishte hera e parë në historinë e SHBA-së, dhe ndoshta edhe në historinë e botës, ku një vend pushtohej dhe me të vinte edhe bllokimi i një force të gjerë ushtarake të përkushtuar për heqjen e një të tretës së lidershipit të vendit. Në fund, NLA u konsolidua në Kampin Ashraf, tetëdhjetë kilometra në veri-lindje të Bagdatit, dhe mbikëqyrja e NLA-së iu caktua ushtrisë amerikane.

Një marrëveshje armëpushimi u nënshkrua ndërmjet ushtrisë amerikane dhe NLA-së, një hap fare i panevojshëm duke qenë se NLA nuk kishte qëlluar kurrë mbi amerikanët, dhe mbi asnjë prej forcave të Koalicionit, dhe të gjitha armët e NLA-së iu dorëzuan amerikanëve. Të gjithë anëtarët e NLA-së firmosën letra ku refuzonin terrorizmin, gjithashtu të panevojshme pasi intervistat dhe analizat e mëvonshme nga FBI zbuluan se asnjë nga banorët e Ashraf nuk kishte kryer ndonjëherë akte terroriste. Krimi më serioz i zbuluar nga FBI ishte mos-pagimi i gjobave të parkimit nga një banor vite më parë gjatë kohës kur studionte në SHBA.

Më pas, banorët fituan Statusin e Personit të Mbrojtur nën Konventën e Katërt të Gjenevës, dhe për gjashtë vitet që pasuan, banorët e Ashraf punuan shumë ngusht me ushtrinë amerikane.

Në vitin 2003, si Oficer i Lartë i Anti-terrorizmit për të gjitha Forcat e Koalicionit në Irak, ndërkohë që fokusi kryesor i punës sime ishte al-Qaeda, Ushtria Mahdi, Trupat Badr, e shumë armiq të tjerë të vërtetë, zhvillova një vlerësim mbi MeK-un dhe nxora përfundimin se ata nuk përbënin kërcënim. 

Kur në vitin 2005 u ktheva në Irak si Oficer i Lartë i Operacioneve për Task-Forcën 134 (Operacionet e Paraburgimit), dhe në 2006-ën u bëra koloneli i parë që komandonte Kampin Ashraf, banorët e Ashraf u shndërruan gjithnjë e më shpejt në fokusin e vëmendjes sime.

Nga fundi i 2006-ës, u riktheva në Pentagon për herë të tretë. Para se ta lija Irakun, i premtova Komandantit të Task-Forcës 134, Gjeneral-Majorit të atëhershëm John Gardner, se do të shërbeja si përfaqësues i tij për të adresuar çështjet e Ashrafit me Departamentin amerikan të Shtetit. Misioni im ishte të ofroja informacione të sakta, duke i zëvendësuar thashethemet e gënjeshtrat me fakte.

Fatkeqësisht, politika e Departamentit të Shtetit nën administratën Obama kishte për qëllim të paqësonte regjimin e Iranit. Statusi si Person i Mbrojtur i banorëve të Ashrafit u anullua dhe mbikëqyrja e kampit kaloi nga ushtria amerikane në ushtrinë irakene, pavarësisht faktit se dihej mirë besnikëria që Kryeministri iraken Nouri al-Maliki kishte për regjimin iranian. Sulmet mbi Kampin Ashraf në vitet 2009 e 2011, si dhe Masakra e 2013-ës në Ashraf nga Ushtria Irakene, dëshmojnë për shkallën e besnikërisë së Maliki-t ndaj Teheranit.

Me premtime për kushte të përsosura jetese në Kampin Liberty (pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdatit) dhe për një zhvendosje të shpejtë në një shtet të sigurtë, banorët u zhvendosën jashtë Ashrafit. Pas tre viteve që përfshinë katër sulme me raketa, dhjetra vdekje e qindra të gjymtuar, banorët u dërguan në Shqipëri.

Përkundrejt këtij sfondi, keqinformimi kundër banorëve të mëparshëm të Ashraf, që tani jetojnë në mënyrë paqësore në Shqipëri, ka dalë sërish në sipërfaqe në një numër mediash, duke përfshirë The Guardian. Autori, Reza Arron Merat, fillon me sagën e vjetër të Mostafa e Robabe Mohammadi-t, të cilët po përpiqen supozimisht të sigurojnë lirimin e vajzës së tyre Somayeh nga MeK. Është një përrallë e vjetër, të cilën ata e kanë përsëritur me kërkesën e Ministrisë iraniane të Inteligjencës e Sigurisë (MOIS) jashtë portave të Kampeve Ashraf e Liberty në Irak, dhe tani edhe në Shqipëri. Ata pretendojnë se Somayeh është rrëmbyer dhe mbajtur për vite me radhë kundër vullnetit të saj.

Ashtu si të gjithë refugjatët e MeK, Somayeh u intervistua nga FBI në vitin 2004. Gjysmë dekade më vonë, për të përcaktuar nëse pretendimet e prindërve të saj ishin të vlefshme, Somayeh u intervistua përsëri nga Komandanti i Kampit Ashraf, LTC McCloskey, në vitin 2009, për të cilin Somayeh e bëri të qartë se qëndronte në Kampin Ashraf me vullnetin e saj të lirë, nuk kishte dëshirë të largohej dhe refuzoi pretendimin e të atit. Ndërkohë, unë shërbeja si Komandant i Bazës së Ashrafit, dhe i vizitoja vazhdimisht të gjitha komplekset e MeK. Nëse Somayeh, apo çdo banor tjetër, do të kishte dëshiruar të largohej, ajo mund të kishte kërkuar ndihmë dhe unë do ta kisha përcjellë personalisht jashtë kampit.

Përveç ritregimit të përrallave të vjetra të MOIS, artikulli i The Guardian ka shpikur edhe disa të tjera, midis të cilave pretendimin se kampi i MeK në Shqipëri është i fortifikuar rëndë. Në fakt, unë kam qenë në kampin e Shqipërisë tre herë dhe mund ta konfirmoj se nuk ka pozicione luftimi, të cilat gjithsesi do të ishin të kota pasi brenda kompleksit nuk ka asnjë armë.

Merat ripërsërit gjithashtu edhe një gënjeshtër të vjetër nga koha e Khomeini-t që thotë se kjo organizatë i ka rrënjët në një ideologji “Islamiste-Marksiste”. Me fjalë të tjera, MeK përbëhet nga ateistë fetarë. Ai duhet të zgjedhë ose njërën, ose tjetrën, pasi Islami dhe Marksizmi nuk përputhen.

Personalisht, as unë nuk jam përjashtuar nga shpifje të ngjashme të gjeneruara nga MOIS. Një ish-anëtar i MeK i rekrutuar më vonë nga MOIS më ka akuzuar në mënyrë të rreme se kam abuzuar ish-MeK-ët në Irak; Në fakt unë ishta i pozicionuar në Pentagon. As dy oficerët e tjerë amerikanë të akuzuar si bashkëpunëtorë të mi nuk kanë qenë në Irak në atë kohë.  Njëri kishte ikur që më parë dhe tjetri nuk do të ishte në Irak deri disa vite më vonë. Ne të tre jemi takuar për herë të parë në vitin 2011. Po e përmend këtë incident për të ilustruar absurditetin e akuzimeve të tilla.

Irani, shteti numër një eksportues i terrorizmit, është gjithashtu eksportuesi numër një i propagandës. MOIS e lufton të vërtetën me gënjeshtra, mashtrime, dhe me manipulim faktesh. MOIS mundohet shumë për ta neutralizuar MeK-un si kërcënimin parësor ndaj regjimit iranian. Kur kjo gjë dështon, ajo përdor mjete më vdekjeprurëse, si tentativa e dështuar për të bombarduar kampin e MeK në Shqipëri si dhe tubimin e përvitshëm Liri për Iranin në Francë.

Për të mos lartësuar më tej keq-informimet në artikullin e Merat, më lejoni të them thjesht se The Guardian mund t’i kishte kontrolluar shumë lehtë sesa tw sakta jane të gjitha pretendimet e tij. The Guardian dhe Merat janë turp për shtypin e lirë.

 

https://townhall.com/columnists/wesmartin/2018/12/10/irans-continuing-misinformation-campaign-n2537263