Thursday, March 28, 2024

Franca Nuk Do Të Emërojë Një Ambasador Të Ri Në Teheran Pas Komplotit Me Bombë Në Paris

 

PARIS (Reuters) – Franca nuk do të emërojë një ambasador të ri në Teheran pa marrë informacion nga Irani për sa i përket një komploti të parandaluar për të bombarduar një tubim të opozitës iraniane në Paris qershorin e shkuar, thanë zyrtarët francezë të mërkurën.

Një diplomat iranian i bazuar në Austri si dhe tre persona të tjerë janë arrestuar, të dyshuar se kanë planifikuar sulmin mbi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI).

Ky incident ka goditur marrëdhëniet në një kohë kur Franca dhe partnerët e saj europianë po përpiqen ta shpëtojnë marrëveshjen bërthamore të 2015-ës mes Teheranit dhe fuqive botërore.

Ambasadori i Francës në Iran është larguar në verë. As Irani nuk e ka zëvendësuar ende ambasadorin e tij të larguar nga Parisi.

“Sot kemi një ‘charge d’affaires’ në Teheran dhe ka një nivel të lartë dialogu mes autoriteteve franceze dhe iraniane,” ka thënë një burim presidencial francez.

“Jemi duke punuar bashkë për të nxjerrë në dritë se çfarë ka ndodhur rreth kësaj ngjarjeje… Nuk do të thosha se ka një lidhje direkte (me mos-emërimin e një ambasadori), por Irani ka premtuar të na japë fakte objektive në javët që vijnë, të cilat do të na lejonin ta vazhdonim marrëdhënien tonë diplomatike siç është sot.”

Një burim diplomatik francez ka thënë se emërimi është pezulluar vërtet si rezultat i komplotit të dyshuar.

Ministria e Jashtme e Francës në gusht u tha diplomatëve e zyrtarëve të saj t’i shtyjnë pa afat të gjitha udhëtimet e padomosdoshme për në Iran, duke cituar komplotin si dhe ashpërsimin e qëndrimit të Teheranit drejt Francës, sipas një mesazhi të brendshëm të parë nga Reuters.