Wednesday, September 11, 2024

Europa nuk Duhet t’i Varë Shpresat tek Regjimi i Paqëndrueshëm e i Dobët në Iran

Më poshtë vijojnë pjesë të fjalimit të titulluar: Të Drejtat e Njeriut në Iran, i cili u mbajt në Amsterdam, më 25 gusht, 2018 nga Dr. ALejo Vidal-Quadras, ish Zëvendës President i Parlamentit Europian dhe President i Komitetit Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ).

Të dashur miq,

I jam shumë mirënjohës komunitetit iranian në Hollandë për organizimin e këtij evenimenti në 30-vjetorin e Masakrës së 1988-ës në Iran.

Siç dihet mirë, tridhjetë vjet më parë, mbi 30.000 të burgosur politikë u ekzekutuan në Iran në verën e vitit 1988. Shumë prej të burgosurve iu bënë vetëm pak pyetje përpara se të çoheshin tek trekëmbëshi dhe të varroseshin në masë në varre të pashënuara. E gjithë kjo ndodhi sipas një fatwa, apo dekreti, të nxjerrë nga themeluesi i regjimit iranian Ajatullah Khomeini, i cili jetonte ende dhe ishte në pushtet në atë kohë.

Siç e dimë, kjo masakër është një nga krimet më të mëdha në historinë moderne të Iranit. Deri më sot, nuk është arrestuar asnjë fajtor për këtë krim mizor të sanksionuar nga shteti. Përkundrazi, shumë nga fajtorët e njohur të cilët e kanë pranuar madje rolin e tyre në këtë krim, janë shpërblyer dhe sot mbajnë pozicione të larta apo ministrore në Iran.

Shumica dërrmuese e viktimave ishin të lidhura me grupin kryesor opozitar, Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI ose MEK). Krimi i tyre ishte se qëndruan të palëkundur dhe i thanë Jo Khomeini-t.

Regjimi ka filluar të shkatërrojë disa nga vendndodhjet e varreve masive. Muajin e shkuar, Amnesty International nisi një fushatë të re urgjente për të mos e lejuar regjimin iranian që të ndërtojë një rrugë mbi varret masive të të burgosurve politikë që u vranë në vitet 1980.

Për sa i përket situatës aktuale të të drejtave të njeriut në Iran, mund të shohim vetëm numrin e ekzekutimeve. Gjatë presidencës së gjasme të moderuarit Hassan Rouhani, mbi 3500 njerëz janë ekzekutuar në Iran deri tani.

Regjimi i është përgjigjur gjithashtu brutalisht protestave dhe kryengritjeve mbarëkombëtare që filluan në fund të dhjetorit dhe kanë vazhduar në qytete të ndryshme. Me mijëra janë arrestuar dhe mbi 50 veta janë vrarë nëpër rrugë. Gjithashtu, shumë persona kanë vdekur nën torturë në paraburgim.

Regjimi e ka pranuar rolin e PMOI në organizimin e këtyre protestave. Në fakt, PMOI e ka rindërtuar rrjetin e saj të fshehtë brenda Iranit duke formuar qeliza proteste që përbëhen nga grupe prej 2, 3 apo më shumë vetash. Ata qenë përgjegjës për fillimin e shumë prej protestave, tubimeve e grevave të fundit që janë zhvilluar në mbarë Iranin. Këto protesta të organizuara i kanë shqetësuar jashtëzakonisht mullahët dhe kjo është arsyeja që ata janë në panik.

Regjimi ka nisur një fushatë masive keqinformimi kundër opozitës iraniane duke përdorur disa agjentë që e quajnë veten ish-anëtarë të PMOI dhe që shkojnë e takohen me politikanë e bëjnë akuza të rreme. Disa prej tyre janë aktivë këtu në Hollandë.

Ka gjithashtu shenja se regjimi ka ndërmend ta eliminojë opozitën e tij kryesore përmes terrorizmit. Kohët e fundit disa iranianë u arrestuan në Belgjikë dhe Gjermani, duke përfshirë një diplomat iranian. Ata kishin në plan të sulmonin tubimin e madh të përvitshëm të rezistencës iraniane në Paris.

Vetëm javën e shkuar, Departamenti amerikan i Drejtësisë shpalli se dy iranianë ishin arrestuar në SHBA për spiunazh kundër PMOI-së.

Gjithë këto lajme na japin mesazhin se jemi në një pikë kritike. Ato tregojnë se e ashtu-quajtura Republikë Islamike e Iranit, e cila ka qenë burimi kryesor i eksportit të fondamentalizmit islamik dhe terrorizmit, tani po lufton për mbijetesë.

Ne në Europë duhet të qëndrojmë në anën e popullit të Iranit. Politika aktuale e BE dhe Znj. Mogherini, politikë e cila i mbyll sytë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut e shtypjes së grave dhe fokusohet vetëm në biznes e tregti, është një turp i madh.

Ne duhet t’i kushtëzojmë lidhjet tona me Iranin në ndalimin e ekzekutimeve dhe në një progres të konsiderueshëm në lidhje me të drejtat e njeriut. Të gjithë protestuesit që janë arrestuar duhet të lirohen menjëherë. Duhet t’ua kujtojmë qeverive tona europiane se Irani nuk është një vend normal për të bërë biznes. Nuk ka zgjedhje të lira në Iran. Irani është vërtet një diktaturë, por e një lloji veçanërisht të lig. Është një teokraci totalitare që mbijeton përmes shtypjes brenda vendit dhe nxitjes së luftës, terrorizmit dhe konflikteve civile jashtë kufijve të tij.