Kenneth Blackwell, ish-Ambasador i SHBA-së në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, shkroi një artikull për Townhall të hënën ku i nxit Shtetet e Bashkuara që ta fusin në listën e zezë Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë të regjimit iranian.
Më poshtë vijon teksti i artikullit opinion të Ambasadorit Blackwell:
Ken Blackwell
06 maj 2019
Politika e Amerikës ndaj Iranit ka anuar në drejtimin e duhur që ditën kur Presidenti Trump mori detyrën. Ndoshta një kritikë mund të ishte ritmi i ngadaltë i progresit të saj. Administratës iu desh koha deri në maj të vitit të shkuar që ta përmbushte premtimin e kahershëm për t’u tërhequr nga një pakt bërthamor që i jepte regjimit lehtësime masive nga sanksionet në këmbim të kufizimeve modeste mbi veprimtaritë e tij bërthamore. Dhe pasi u shpall tërheqja, u desh të kalonin edhe 180 ditë të tjera që të rivendoseshin sanksionet, si dhe një vit i plotë përpara se të ndaloheshin lehtësimet për importuesit më të mëdhenj të naftës iraniane.
Strategjia e administratës lidhur me Iranin dhe me lehtësimin e ndryshimeve gjithëpërfshirëse në sjelljen e tij ka kaluar nga thjesht “e rreptë” në “të paprecedent.” Ndoshta shembulli më i mirë i këtij ndryshimi erdhi rreth dy javë para shpalljes së përfundimit të të gjitha lehtësimeve të sanksioneve. Në fillim të prillit, Shtëpia e Bardhë deklaroi se do ta etiketonte Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si Organizatë të Huaj Terroriste (FTO).
Ky vendim kishte kohë që debatohej në qarqet politike perëndimore, por administratat e mëparshme amerikane dhe disa anëtarë të hershëm të administratës aktuale kishin shqetësime për kostot politike të vënies së një etiketimi terrorist për një degë zyrtare të një qeverie të huaj. Individë dhe entitete të ndryshme të lidhura me IRGC-në ishin sanksionuar më parë, por refuzimi për ta etiketuar IRGC-në në tërësi kishte krijuar një boshllëk serioz në ligjin amerikan të sanksioneve. IRGC kontrollon shumicën e prodhimit bruto të Iranit, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo përmes një serie kompanish frontale, dhe ka rol thelbësor në anashkalimin e sanksioneve.
Ngritja e perancorisë financiare të IRGC-së është gjurmuar me kujdes nga opozita kryesore e Iranit, Mujahedin-e Khalq (MEK), e cila gëzon mbështetje të konsiderueshme brenda Iranit. MEK është pjesë e një koalicioni të gjerë aktivistësh e organizatash demokratike, të quajtur Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI). MEK dhe NCRI e lavdëruan menjëherë administratën për vendimin e saj për ta shtrirë etiketimin terrorist në tërësinë e IRGC-së, një hap që e kishin kërkuar për dekada të tëra. Por ata shprehën gjithashtu shpresën se, duke e thyer këtë tabu, administrata mund të tregohet e gatshme ta përshpejtojë fushatën e saj të “presionit maksimal” duke promovuar më shumë politika që i përgjigjen në mënyrën e duhur statusit të regjimit iranian si sponsori kryesor shtetëror i terrorizmit në botë.
Ishte ky mesazhi themelor i një konference të mbajtur të mërkurën nga NCRI në Uashington, me qëllimin specifik për ta nxitur qeverinë amerikane që ta njohë si organizatë terroriste një tjetër degë të regjimit iranian. Nuk duhet të jetë e vështirë të bindesh për këtë. Ndërkohë që IRGC ka një histori të gjatë të veprimtarive terroriste në tokë të huaj dhe të mbështetjes për grupe të njohura terroriste si Hezbollah, Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) ka qenë e lidhur direkt me planifikimin e sulmeve me bombë dhe vrasjeve të bëra edhe vetëm një vit më parë, të cilat shpesh kanë në shënjestër shtetas perëndimorë apo territore perëndimore përmes mbështetjes logjistike të ambasadave të regjimit dhe nën mbulimin e tyre diplomatik.
Konferenca e opozitës tregoi 10 shembuj specifikë të këtyre komploteve. Ndonëse secili prej tyre është parandaluar nga autoritetet amerikane apo europiane, ata pasqyrojnë një përkushtim të konsiderueshëm e mundësisht në rritje nga ana e një regjimi të dëshpëruar për ta përdorur terrorizmin si formë parësore të shtet-bërjes. Disa nga këto komplote mbartnin gjithashtu një kërcënim të konsiderueshëm për vdekje e shkatërrim masiv, ku ndoshta shembulli më i keq është marrja në shënjestër nga MOIS e një tubimi politik të organizuar jashtë Parisit verën e shkuar. Tubimi i përvitshëm “Liri për Iranin” tashmë tërheq dhjetëra mijëra iranianë në një shfaqje kundërshtimi të hapur ndaj regjimit teokratik. Ata shoqërohen çdo vit nga pjesëmarrës e folës ndërkombëtarë nga fushat e politikës, diplomacisë, legjislacionit, mbrojtjes, inteligjencës dhe akademisë në Europë, Shtetet e Bashkuara, e në shumë pjesë të tjera të botës.
Etiektimi terrorist i IRGC-së ishte i nevojshëm dhe shumë i vonuar, por duhet bërë më shumë. Hapat progresivë të administratës drejt një politike të implementimit të “presionit maksimal” thuhet se kanë ndihmuar për të sjellë një rënie prej gati 10 përqind në shpenzimet ushtarake të teokracisë mes viteve 2017 dhe 2018. Këto shpenzime janë kundërshtuar me furi nga populli iranian teksa thërriste gjatë protestave të dhjetorit 2017: “Lëreni Sirinë, mendoni për ne.” Nuk dihet se çfarë mund të arrihet në vitin që kemi përpara nëse presionet më të fundit fitojnë kontrollin dhe veçanërisht nëse tendenca që e solli këtë presion vazhdon të përshpejtohet.
Në një kohë kur entitetet iraniane vazhdojnë të përbëjnë kërcënim të qartë për jetët dhe territoret perëndimore, nuk na leverdis ta marrim si të mirëqenë faktin që ky trend ka bërë arritje të mjaftueshme, apo se do të vazhdojë në mënyrë të natyrshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbajë fokusin tek efektet pozitive të presioneve paraekzistuese ekonomike, gjithnjë duke parë me mençuri drejt masave të reja kundër atyre entiteteve iraniane kërcënimi i dhunshëm i të cilave nuk është adresuar ende. Hapi i radhës duhet të jetë menjëherë etiketimi i MOIS.
Ken Blackwell ka qenë Ambasador i mëparshëm i SHBA-së në Komisionin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.