Dënimi i Komplotit Terrorist të Iranit në Europë

434

Nga: Alejo Vidal-Quadras

Thirrje për Përjashtimin e Diplomatëve Iranianë

Agjensitë belge të Inteligjencës dhe Sigurisë kanë shpallur se kanë parandaluar një komplot terrorist që kishte në shënjestër mbledhjen e madhe të opozitës demokratike iraniane NCRI në Paris të shtunën më 30 qershor.

Dhjetra mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota ishin të mbledhur në Villepinte jashtë Parisit për të mbështetur thirrjen e udhëheqëses së opozitës Maryam Rajavi për një ndryshim demokratik në Iran. Disa qindra figura politike europiane, amerikane dhe ndërkombëtare ishin të pranishme në këtë tubim.

Një çift iranian me shtetësi belge u arrestuan nga policia belge të shtunën. Në makinën e tyre u gjetën eksplozivë dhe një detonator, të cilët kishin për qëllim t’i përdornin në mbledhjen në Villepinte. Sipas lajmeve të VTM-së belge, ata eksplozivë, të kombinuar me një bombë me gozhda, mund të kishin shkaktuar qindra viktima.

Një diplomat iranian nga Ambasada në Vienë është arrestuar gjithashtu në Gjermani si “personi i kontaktit” i terroristëve, sipas zyrës së Prokurorit Publik Belg.

Është tronditëse të dëgjojmë se një sulm terrorist kaq serioz dhe i pamëshirshëm është planifikuar dhe do të realizohej me përfshirjen e drejtpërdrejtë të zyrtarëve iranianë në Europë.

Kjo tregon nivelin e rëndësisë që regjimi iranian i jep lëvizjes së drejtuar nga Znj. Rajavi, e cila përfaqëson alternativën demokratike ndaj regjimit teokratik. Plani me dhjetë pika i NCRI përfshin lirinë e shprehjes, të shoqërimit dhe fesë, ndarjen e fesë nga shteti, barazinë midis burrave dhe grave, heqjen e dënimit me vdekje, një Iran jo-bërthamor si dhe zgjedhje të lira dhe transparente të një Asambleje Kushtetuese brenda gjashtë muajve të parë pas ndryshimit të regjimit. Në janar, presidenti i regjimit iranian, Hassan Rouhani kishte telefonuar Presidentin Macron për t’i kërkuar Francës të parandalojë veprimtaritë e Znj. Rajavi.

Ky atentat i ri terrorist me motive politike në Europë kërkon dënimin e menjëhershëm të regjimit iranian nga Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini, dhe nga të gjitha Shtetet Anëtare të BE.

Regjimi i Iranit ka një histori komplotesh dhe sulmesh terroriste kundër kundërshtarëve të tij në Europë. Në 1997 BE tërhoqi ambasadorët e saj nga Irani dhe përjashtoi diplomatët iranianë nga Europa në vijim të vrasjeve famëkeqe të disidentëve Kurdë në resorantin Mykonos të Berlinit.

Pas këtij komploti të ri dhe në vijim të valës së vrasjeve të disa kundërshtarëve Iranianë vitin e shkuar duke përfshirë në Hollandë dhe Turqi, BE tani duhet të kërkojë mbylljen e ambasadave të Iranit dhe përjashtimin e diplomatëve iranianë nga Europa.

Alejo Vidal-Quadras, President, Komiteti Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ)

Ish Zëvendës President i Parlamentit Europian (1999-2014)