Deklaratë nga Ministri i Jashtëm Samuelsen mbi veprimtaritë e paligjshme të inteligjencës iraniane në Danimarkë

467

 31.10.2018  11:54

Konferencë për shtyp rreth veprimtarive të paligjshme të inteligjencës iraniane në Danimarkë, 30 tetor.

E kam thirrur këtë konferencë për shtyp për t’ju informuar rreth hapave që Qeveria ka marrë dhe do të marrë në lidhje me çështjen shumë serioze që Kreu i Shërbimit Danez të Sigurisë dhe Inteligjencës ka shpallur sot. Shërbimi Danez i Sigurisë dhe Inteligjencës vlerëson se një agjensi inteligjence e një vendi të huaj ka planifikuar të vrasë një person në tokën daneze. Më lëjoni të jem i sinqertë për këtë: Një gjë e tillë është krejtësisht e papranueshme dhe jashtëzakonisht serioze. Nuk ka fjalë që ta përshkruajë se sa e rëndë është kjo çështje.

Kështu që qeveria daneze ka reaguar tashmë, dhe ka reaguar me rreptësi.

Para së gjithash, është një hap i pazakontë që Qeveria dhe Shërbimi Danez i Sigurisë dhe Inteligjencës sot e kanë zbardhur çështjen me një transparencë maksimale, dhe e kanë bërë plotësisht të qartë se shigjeta është në drejtimin e shërbimit iranian të inteligjencës. Jemi përpjekur që ta theksojmë sa më qartë të jetë e mundur se me çfarë luhet këtu. Kjo gjë është vënë re tashmë jashtë shtetit.

Së dyti, kam vendosur ta thërras mbrapsht ambasadorin danez në Teheran për konsultime. Më lejoni ta theksoj se ky është një hap diplomatik shumë i fortë dhe shumë i pazakontë.

Së treti, më herët sot, ne thirrëm ambasadorin iranian në Danimarkë në një mbledhje në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në këtë mbledhje u bë plotësisht e qartë që Danimarka nuk mundet, në asnjë rrethanë, të pranojë që persona të lidhur me një agjensi iraniane të inteligjencës të planifikojnë një vrasje kundër personave në Danimarkë.

Në të njëjtën kohë, fatkeqësisht, duket që kjo sjellje iraniane nuk kufizohet vetëm në Danimarkë. Një numër vendesh të tjera ndajnë shqetësimin tonë. Për këtë arsye – së katërti – Danimarka ka kontaktuar një grup vendesh me pikëpamje të ngjashme që ndajnë shqetësimet tona. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me këto vende dhe të diskutojmë për masat e përbashkëta ndaj Iranit.

Dhe së pesti: Kur diskutuam a duheshin shtuar sanksionet kundër Iranit në pranverë, unë isha pro. Megjithatë, deri tani, kjo gjë nuk ka marrë mbështetje të plotë nga vendet e BE-së. Por duke patur parasysh ngjarjet e fundit, Danimarka do të kryesojë tani përpjekjet për ta bërë BE-në që ta diskutojë përsëri nevojën për sanksione të mëtejshme kundër Iranit.

Sot, Irani e ka mohuar mundësinë që shërbimi iranian i inteligjencës të qëndrojë prapa tentativës për vrasje në Danimarkë. Irani sundohet nga disa grupe, dhe ka mundësi që disa pjesë të qeverisë të jenë të pavetëdijshme për veprimtaritë iraniane. Por kjo nuk e ndryshon faktin që Irani si shtet qëndron prapa kësaj gjëje. Dhe nuk e ndryshon as faktin që kjo gjë është krejtësisht e papranueshme.

Qeveria ka patur shqetësime rreth Iranit për një kohë të gjatë: Rreth sjelljes rajonale të Iranit. Rreth programit të raketave balistike të këtij vendi. Si dhe rreth situatës së të drejtave të njeriut në këtë vend. Jam shprehur vetë publikisht për këtë edhe më parë.

Ajo që është shpallur nga Shërbimi Danez i Sigurisë dhe Inteligjencës sot tregon se Irani po sillet në mënyrë të papranueshme edhe në tokën daneze – dhe kjo sjellje duhet të marrë fund.

Nesër, krerët e departamenteve të vendeve të BE-së për Lindjen e Mesme do të takohen në Bruksel. I kam kërkuar përfaqësuesit danez që ta sjellë në vëmendje çështjen daneze dhe ta bëjë plotësisht të qartë se sa seriozisht e kemi marrë këtë çështje në Danimarkë, dhe se sa absolutisht të papranueshme janë veprimtaritë e inteligjencës iraniane në Europë. I kam kërkuar gjithashtu përfaqësuesit danez që ta bëjë krejtësisht të qartë dëshirën e Danimarkës për të rifilluar diskutimet për sanksione të mëtejshme kundër regjimit Iranian.