Prokurorët e regjimit iranian kanë dënuar katër konservacionistë me akuzën e “mbjelljes së korrupsionit mbi Tokë”, krim që mbart dënimin me vdekje në Republikën Islamike, thjesht për faktin se kanë kryer monitorim shkencor të specieve të rrezikuara.
Punonjësit e Fondacionit të Trashëgimisë së Faunës Perse u arrestuan në janar për spiunazh, pasi Trupat e Gardës Revolucionare i akuzuan se kishin përdorur kamerat e tyre, të cilat kishin për qëllim të monitoronin gatopardët e rrallë aziatikë e kafshë të tjera, për të spiunuar mbi programin e raketave balistike të vendit.
Kjo akuzë është e rreme, sigurisht, dhe madje edhe qeveria iraniane pati pranuar më herët këtë vit se nuk kishin prova për të vërtetuar akuzat për spiunazh. Kështu, Trupat e Gardës Revolucionare u detyruan t’i ndryshonin taktikat e tyre e t’i akuzonin ambjentalistët me një akuzë ndaj sigurisë kombëtare.
Tara Sepehri Far, një studiuese pranë Vrojtuesit të të Drejtave Njerëzore në New York City, ka thënë se kjo ishte “një akuzë shumë e çuditshme për t’u dhënë kundër aktivistëve mjedisorë” dhe “krejtësisht e paprecedent”.
Megjithatë, duke patur parasysht shtypjen që regjimi iranian i ka bërë ambjentalistëve, sidomos atyre që ishin të lidhur me Perëndimin, më herët këtë vit, nuk është e habitshme që mullahët të shkojnë deri në këtë pikë.
Edhe zëvendës-presidenti i Iranit për mjedisin është arrestuar dhe mbajtur për pak ditë, para se të lirohej, duke mbetur nën presion nga Regjimi Iranian. Kaveh Madani, një ish-ekspert i menaxhimit të ujit në Imperial College London, u arratis në prill gjatë një udhëtimi jashtë vendit dhe tani vendndodhja e tij është e fshehtë.
Ai ka thënë: “Komuniteti shkencor mund të bëjë shumë duke e sfiduar narrativën që shitet nga [Garda Revolucionare]. Njerëzit e besojnë komunitetin shkencor, dhe sapo ky komunitet të sjellë kundër-narrativën e tij, ekstremistët nuk do të mund t’i shesin kollaj budallallëqet e tyre.”
Të akuzuarit
Emrat e të akuzuarve besohet të jenë Taher Ghadirian, Houman Jowkar, Morad Tahbaz, dhe Niloufar Bayani. Ata u arrestuan së bashku me pesë ambjentalistë të tjera me akuza të ngjashme, por bashkë-themeluesi i Fondacionit të Trashëgimisë së Faunës Perse, Profesor Kavous Seyed-Emami, një shtetas iraniano-kanadez, vdiq në rrethana të dyshimta në burg në shkurt. Autoritetet pretendojnë se ai ka kryer vetëvrasje, por shumë njerëz besojnë se ai ka vdekur nën torturë.
Ghadirian dhe Jowkar shërbejnë në panelet e Unionit Ndërkombëtar për Konservimin e Natyrës (IUCN), të cilat vendosin për klasifikimin e specieve të caktuara si në rrezik. Të dy ata shërbejnë në panelin e maceve, dhe Ghadirian është gjithashtu anëtar i grupit të specialistëve për arinjtë.
Kreu i Komisionit të IUCN për Mbijetesën e Specieve, Jon Paul Rodríguez, një biolog konservimi në Institutin e Venezuelës për Kërkimin Shkencor në Caracas, ka thënë: “IUCN është tepër i alarmuar nga këto akuza. Kamerat e komanduara nga larg janë të domosdoshme për të gjurmuar statusin dhe biologjinë e specieve të rrezikuara. Me aq sa di unë, praktikisht, i gjithë informacioni që kemi mbi gatopardët vjen nga këto lloj kamerash.”
Nuk është vendosur asnjë datë gjyqi për ambjentalistët.