Friday, July 26, 2024

Danimarka Deklaron: Regjimi Iranian Ka Planifikuar ‘Sulmin’, Thërret Ambasadorin – Bën Thirrje për Sanksione të Reja

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka përgëzuar Danimarkën në një postim në Twitter për zbardhjen e komplotit dhe ka thënë se për 40 vjet, Irani e ka bërë Europën shënjestër të sulmeve terroriste.

 

Përgëzojmë qeverinë e #Danimarkës për arrestimin e një vrasësi të regjimit iranian. Për gati 40 vjet, Europa ka qenë shënjestër e sulmeve terroriste të sponsorizuara nga #Irani. I bëjmë thirrje aleatëve e partnerëve tanë që të përballen me gamën e plotë të kërcënimeve të Iranit ndaj paqes dhe sigurisë.

 

Politiets Efterretningstjeneste (PET) është agjensia kombëtare e sigurisë dhe inteligjencës e Danimarkës. Ekzekutivi i agjensisë, Finn Borch Andersen, bëri një shpallje në një konferencë për shtyp për të shpjeguar veprimet e agjensisë më 28 shtator, kur një numër rrugësh, urash, e shtigjesh detare u mbyllën gjatë një ndjekjeje masive.

Sipas Andersen, prapa këtij aksioni të gjerë policor qëndronte një komplot vrasjeje kundër një banori të Danimarkës. Ai tha, “Ky është një rast që përfshin një operacion iranian inteligjence në Danimarkë. Sipas nesh, një agjensi iraniane e inteligjencës kishte në plan të vriste një person që jeton në Danimarkë.”

PET ka bashkëpunuar me shërbimet norvegjeze e suedeze të inteligjencës në një hetim mbi këtë tentativë vrasjeje, hetim i cili çoi në arrestimin e një norvegjezi që besohet të ketë qenë i përfshirë. Arresimi u bë në Gothenburg, Suedi, sipas shërbimit suedez të inteligjencës, Säpo.

Anderson shpjegon, “Një shtetas norvegjez me origjinë iraniane u arrestua më 21 tetor. Ky person ndodhet tani në paraburgim. Ai akuzohet për krijimin e një operacioni të inteligjencës iraniane në Danimarkë si dhe për pjesëmarrjen në tentativën për vrasje.” I dyshuari vazhdon të deklarohet i pafajshëm. Ai do të mbahet në izolim deri më 8 nëntor.

Ministri i Jashtëm Anders Samuelsen ka thirrur ambasadorin e Iranit, Morteza Moradian, në një takim, pas të cilit ai tha në një deklaratë të ministrisë, “Siç është shpallur edhe nga kreu i Shërbimit Danez të Sigurisë më herët ditën e sotme, gjykimi ynë është se një agjensi iraniane e inteligjencës ka planifikuar një vrasje në tokë daneze. Kjo është krejtësisht e papranueshme. Në fakt, është e vështirë ta përshkruash se sa serioze është kjo çështje. Kjo gjë i është bërë plotësisht e qartë ambasadorit iranian në Kopenhagen sot.”

Më tej, ai tha se Danimarka do të jetë në kontakt të ngushtë me disa vende të tjera që kanë pikëpamje të ngjashme për sa i përket çështjes së “veprimtarive të paligjshme në Europë” të një agjensie iraniane të inteligjencës.

“Është krejtësisht e papranueshme që Irani apo çdo vend tjetër i huaj të planifikojë vrasje në tokën daneze. Masa të mëtejshme kundër Iranit do të diskutohen në BE,” tha në një postim në Twitter Kryeministri danez Lars Loekke Rasmussen.