Britania e Quan Kapjen e Cisternës nga Regjimi Iranian si ‘Akt Piraterie Shtetërore’

520

Shkruar nga Mohammad Sadat Khansari 

Britania shpalli të hënën planin për të krijuar dhe mobilizuar një “mision të mbrojtjes detare” të udhëhequr nga Europa për të mbrojtur anijet në Ngushticën e rëndësishme të Hormuzit pas kapjes nga regjimi iranian të një cisterne me flamur britanik në këtë rrugë ujore.

Duke informuar Parlamentin mbi këtë krizë, Sekretari i Jashtëm Jeremy Hunt e akuzoi regjimin iranian për “një akt piraterie shtetërore” që do të përballet me një përgjigje të vendosur e të rreptë ndërkombëtare.

“Sipas ligjit ndërkombëtar, Irani nuk kishte asnjë të drejtë ta pengonte kalimin e anijes – e aq më pak të hipte në bordin e saj. Për këtë arsye, ky ishte një akt piraterie shtetërore,” tha përpara parlamentit Sekretari i Jashtëm Jeremy Hunt.

Ai nuk shpalli shumë detaje por tha se aleatët europianë të Britanisë do të luajnë një rol madhor në mbajtjen hapur të rrugëve të transportit detar. Një e pesta e gjithë eksporteve globale të naftës krudo kalon përmes ngushticës së vogël midis Iranit e Omanit.

“Do të përpiqemi të krijojmë një mision të mbrojtjes detare të udhëhequr nga Europa për të mbështetur kalimin e sigurtë të ekuipazheve dhe ngarkesave në këtë rajon të rëndësishëm,” tha Hunt.

“Kemi patur diskutime konstruktive me një numër vendesh gjatë 48 orëve të fundit dhe pas disa ditësh do të diskutojmë rreth mënyrës më të mirë për ta plotësuar këtë me propozimet amerikane të kohëve të fundit në këtë fushë.”