Nga Mohammad Sadat Khansari
Në Asemblenë e Përgjithshme të OKB-së vitin e shkuar, Presidenti amerikan foli shumë ashpër per Iranin. Edhe këtë vit, gjërat do të jenë njëlloj. Ai e ka kritikuar vazhdimisht Iranin dhe ka marrë masa deçizive për ta detyruar t’i ndryshojë politikat e tij të jashtme keqdashëse.
Që kur mori pushtetin, Trump nuk ka patur frikë të ndjekë rrugën e vet pa u ndikuar nga të tjerët, as nga aleatët e ngushtë. Kjo bëhet e qartë kur shikojmë se sa të ndryshme janë politikat e tij krahasuar me ato të partnerëve e aleatëve në botë. Në disa fronte, qëndrimi i Trump bën direkt kontrast me atë të aleatëve të tij.
Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bie fjala për situatën e Iranit. Trump, që përpara se të merrte pushtetin, kishte kritikuar përqasjen e paraardhësit të tij ndaj Iranit. Ai tha se Obama nuk duhej t’i ishte dorëzuar kurrë Iranit në kaq shumë çështje gjatë negociatave për marrëveshjen bërthamore dhe e kritikoi ashpër se kishte mbyllur sytë ndaj çështjeve të cilat duhej t’i kishte trajtuar në mënyrë të vendosur.
Presidenti amerikan e ka theksuar gjithmonë mbështetjen që Irani u jep grupeve terroriste, programin e tij të raketave balistike si dhe ambiciet e tij rajonale të cilat janë kaq kërcënuese ndaj paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë. Ai refuzoi të mbetej pjesë e një marrëveshjeje që nuk i adreson këto çështje kritike.
Lindja e Mesme ka shumë pak qendrueshmëri dhe arsyeja kryesore e kësaj është Irani dhe ndërhyrjet e tij. Irani ka militantë e grupe proksi të shpërndara në mbarë rajonin për të punuar në emër të tij.
Në Jemen, për shembull, lufta është përndezur e zgjatur nga Irani. Irani i ka penguar përpjekjet për të ndaluar rebelimin e Houthi-ve, rebelim i cili e ka shkatërruar krejtësisht vendin.
Në Siri, Irani ka bërë të njëjtën gjë – ka përndezur e zgjatur një luftë që do të kishte mbaruar vite më parë po të mos ishte përfshirë ai. Irani ka marrë pjesë me vullnetin e tij në këtë luftë dhe është përfshirë në krime të shumta lufte. Nuk do të ketë asnjë zgjidhje për situatën e Sirisë sa kohë që Irani nuk largohet.
Dhe në Irak, Irani ka infiltruar sistemin politik dhe ka thelluar ndarjen sektare. Irani është përgjegjës për një pjesë të madhe të korrupsionit të përhapur në vend si dhe për krizat e shumta mjedisore që po ndodhin atje. Gjithsesi, si komunitetet Sunni, ashtu edhe ato Shiite bëjnë thirrje për largimin e Iranit.
SHBA dëshiron të ushtrojë aq presion mbi regjimin iranian, saqë ai të mos ketë zgjedhje tjetër përveç rikthimit në tryezën e negociatave.