- Raporti Vjetor i Zyrës Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV): Inteligjenca e regjimit të mullahëve, me zyrat qendrore të Gjermanisë në ambasadën në Berlin, ka planifikuar vrasje kundër opozitës
- Thirrje për listimin terrorist të Ministrisë së Inteligjencës, mbylljen e ambasadës së regjimit dhe ndjekjen penale e përjashtimin e mercenarëve
Raporti i 2018-ës nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës së Gjermanisë (Bundesmat fur Verfassungsschutz, BfV), i cili është publikuar më 27 qershor 2019 nga Ministri Federal i Brendshëm, Horst Seehofer dhe Thomas Haldenwang, kryetar i organizatës, shqyrton veprimtaritë e shërbimeve të inteligjencës të regjimit iranian në Gjermani.
Duke iu referuar rolit të shërbimit sekret të regjimit iranian në “komplotin me bombë kundër tubimit të përvitshëm të PMOI-së në qershor 2018 në Villepinte pranë Parisit,” raporti paralajmëron për intensifikim të komploteve kundër opozitës iraniane.
Raporti vjetor i BfV deklaron: “Detyra kryesore e shërbimeve iraniane të inteligjencës është të spiunojnë kundër lëvizjeve të opozitës dhe të konfrontohen me këto lëvizje. Në këtë aspekt, dëshmitë e terrorizmit të sponsorizuar nga shteti në Europë, terrorizëm që e ka origjinën në Iran, janë intensifikuar gjatë 2018-ës.”
Raporti, i bazuar në vrojtimet e BfV-së, deklaron: “Burimi kryesor i veprimtarive të inteligjencës në Gjermani është Ministria e Inteligjencës e Republikës Islamike (VAJA ose MOIS). MOIS i mbledh informatat përmes operacioneve të inteligjencës në koordinim me përfaqësuesit e ministrisë në terren ose me zyrat qendrore të ministrisë në Teheran. Këto (operacione) drejtohen në mënyrë specifike nga zyrat qendrore të Ministrisë së Inteligjencës. Një nga metodat e Ministrisë së Inteligjencës është marrja në pyetje e atyre që udhëtojnë për në Iran për arsye familjare apo profesionale. Nuk mund t’i shpëtosh dot aksesit nga Ministria e Inteligjencës, dhe kjo paraqet një mundësi ideale për marrje në pyetje.”
Raporti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës zbulon se ambasada e regjimit iranian i shërben Ministrisë së Inteligjencës, dhe shkruan: “Në Gjermani, zyrat qendrore të Ministrisë së Inteligjencës tek ambasada iraniane në Berlin luajnë një rol të rëndësishëm në operacionet e inteligjencës. Përveç operacioneve të pavarura të inteligjencës, kjo agjensi mbështet gjithashtu veprimtaritë e ndërmarra nga Ministria e Inteligjencës. Përveç Ministrisë së Inteligjencës, Forca Quds e Korpusit të Gardës Revolucionare, e cila merret me operacione inteligjence, është gjithasthu aktive në Gjermani.”
Raporti, duke iu referuar arrestimit të një diplomati terrorist të regjimit iranian në tokën gjermane, deklaron: “Më 1 korrik 2018, një diplomat i ambasadës iraniane në Vienë (i akredituar) u arrestua në Gjermani në vijim të daljes së një urdhër arresti europian nga gjykata belge. Ai dyshohet se ka organizuar një sulm me eksplozivë mbi tubimin e përvitshëm të PMOI-së afër Parisit më 30 qershor 2018, si bashkëpunëtor zyrtar i Ministrisë iraniane të Inteligjencës. Diplomati thuhet se ka përdorur një çift me origjinë iraniane si spiunë dhe agjentë për të realizuar sulmin. Ky individ u ekstradua në Belgjikë në tetor 2018. Çështja e nisur kundër tij në Gjermani nga Prokurori Federal i Përgjithshëm është duke u trajtuar. Në Gjermani dhe Belgjikë vazhdojnë hetimet.”
“Aparati iranian i Inteligjencës është një nga veglat kryesore të udhëheqjes politike në Iran për konsolidimin e sundimit,” thotë raporti, duke pranuar rreziqet e shtuara potenciale për opozitën. “Për këtë arsye, Ministria iraniane e Inteligjencës do të vazhdojë ta monitorojë opozitën. Kërcënimi që kërcënon opozitën iraniane në Gjermani është përkeqësuar. Përveç monitorimit të opozitës në Gjermani, disa raste të zbardhura tregojnë se Ministria iraniane e Inteligjencës ka planifikuar disa tentativa terroriste kundër opozitës në Europë.”
Raporti vë në dukje gjithashtu se në programin iranian të raketave në 2018-ën, ka patur shtim të përpjekjeve për të gjetur pjesët përbërëse që mund të përdoren për të ndërtuar armë bërthamore.
Rezistenca Iraniane, duke theksuar faktin se raporti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) e tregon qartë politikën e eksportimit të terrorizmit dhe spiunazhit nga regjimi klerikal, bën thirrje edhe një herë për etiketimin terrorist të Ministrisë së Inteligjencës, mbylljen e ambasadave, si dhe ndjekjen penale dhe përjashtimin e agjentëve e mercenarëve të regjimit klerikal nga toka europiane, sidomos nga Gjermania.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
30 qershor 2019