Brian Hook: SHBA do të Vendosë Penalitete mbi Çdo Vend që Importon Naftë Iraniane

445

Shkruar nga Shahriar Kia 

Shtetet e Bashkuara do të vënë sanksione mbi çdo vend që importon naftë iraniane dhe nuk do të ketë asnjë përjashtim, tha të premten i dërguari special i SHBA-së për Iranin.

Presidenti amerikan Donald Trump mori në shënjestër Liderin Suprem të regjimit iranian Ali Khamenei dhe zyrtarë të tjerë të lartë të regjimit me sanksione të hënën, duke marrë një hap të paprecedent për të rritur presionin mbi regjimin iranian pas rrëzimit nga Teherani të një droni amerikan pa pilot javën e shkuar.

“Do të sanksionojmë çdo importim të naftës krudo iraniane,” tha Brian Hook, i pyetur për shitjet e krudos iraniane në Azi, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do t’i hedhin një sy raporteve të krudos iraniane që shkojnë në Kinë.

“Në këtë moment nuk ka lehtësime për naftën,” u tha reporterëve në Londër Hook, Përfaqësuesi Special amerikan për Iranin. “Do të sanksionojmë çdo blerje të paligjshme të naftës krudo iraniane.”

Regjimi iranian i ka rritur vëllimet e shitjeve të produkteve petrokimike me çmime më të ulëta se të tregut në vende që përfshijnë Brazilin, Kinën dhe Indinë që kur Shtetet e Bashkuara i rivendosën sanksionet mbi eksportet e naftës iraniane në nëntor, raportoi Reuters këtë muaj.

“Irani ka një histori të përdorimit të kompanive frontale për t’iu shmangur sanksioneve, për ta pasuruar regjimin dhe për të financuar aventurizmin e tij jashtë vendit,” tha Hook, duke shtuar se regjimi iranian i shkel rregullisht ligjet detare për t’i fshehur eksportet e naftës.

Vitin e shkuar, Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja multikombëtare nën të cilën, regjimit iranian iu hoqën sanksionet në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor, të verifikuar nga Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Që atëherë, Uashingtoni i ka rivendosur sanksionet e forta mbi Teheranin, me qëllimin për t’ia çuar në zero regjimit shitjet e naftës, për ta detyruar të negociojë një marrëveshje më të gjerë që të trajtojë gjithashtu edhe programin e tij të raketave balistike dhe veprimtaritë terroriste në rajon.

“Irani e ka refuzuar diplomacinë në raste tepër të shumta,” tha Hook. “Ata duhet ta ndalin këtë agjendë sektare të krijimit të një korridori pushteti të Shia-ve për ta dominuar Lindjen e Mesme.”