Sanksionet e reja amerikane mbi Ali Khamenei-n dhe Zyrën e Liderit Suprem, që është shtylla kryesore e pushtetit të regjimit iranian dhe një qeveri brenda një qeverie, janë një goditje e madhe ndaj kulmit të sundimit të mullahëve.
Ato janë një goditje jo vetëm ndaj Khamenei-t, por ndaj gjithë shokëve të tij, përfaqësuesve, zyrave dhe individëve të caktuar nga ai, që nga Gjykata, tek Këshilli i Gardianëve, tek Këshilli i Ekspediencës, e deri tek korporata shtetërore e transmetimit. Udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi i ka përshkruar sanksionet kundër Khamenei-t dhe Zyrës së Liderit Suprem, e cila është epiqendra e krimit, korrupsionit dhe terrorizmit në Iran, si të sakta dhe të domosdoshme dhe ka thënë se ato duhet të shtrihen për të përfshirë edhe Ministrinë e Inteligjencës (MOIS), institucioni që po e pengon kryengritjen për liri.
Pas vizitave diplomatike në Iran nga zyrtarët japonezë, gjermanë dhe britanikë, të cilët u poshtëruan nga Khamenei, dhe pas një serie operacionesh terroriste dhe ushtarake të regjimit si vënia e minave, rrëzimi i një droni amerikan dhe sulmet me raketa, SHBA ndërmori një tjetër hap madhor larg iluzionit të dialogut me regjimin iranian. Presidenti Donald Trump ka arritur në përfundimin se edhe ta çosh nëpër mend një marrëveshje me këtë regjim është “tepër herët.”
Khamenei kujdeset që t’i shmanget çdo negociate për ta ndryshuar sjelljen e regjimit të tij, pasi në çdo rast, ‘ndryshimi i sjelljes’ do të çonte shumë shpejt në rrëzimin e tij.
Tërësia e instituteve dhe përfaqësuesve të lidhur me Khamenei-n në qendrat politike, ushtarake, të sigurisë, arsimore, kulturore, sportive, tregtare, qeveritare dhe jo-qeveritare, si dhe në ushtri, polici dhe në “zyrat qendrore kulturore” si institucioni i Lutjeve të së Premtes, numëron rreth 120,000 anëtarë. Politikat kryesore të regjimit iranian përcaktohen në zyrën e Khamenei-t, e cila mbikëqyr dhe kontrollon të gjithë aparatin e inteligjencës dhe sigurisë. Fabrikimi i rasteve kundër kundërshtarëve dhe grupimeve rivale të regjimit, përfshirë mediat e tyre, kontrollimi dhe shtypja e klerikëve disidentë, patrullat ‘anti-ves’, institutet përgjegjëse për eksportimin e të ashtu-quajturit “revolucion” në vendet e tjera, rrjeti i këshilltarëve ndërkombëtarë, Këshilli Strategjik i Marrëdhënieve me Jashtë dhe kontrollimi i hapësirës kibernetike, të gjitha janë nën mbikëqyrjen e zyrës së Khamenei-t dhe kanë një autoritet e buxhet të jashtëzakonshëm e pa limit. Zyra e Liderit Suprem nuk i jep llogari askujt, nuk respekton asnjë rregull apo ligj dhe nuk paguan asnjë taksë. Ajo është pika më e lartë e komandës për shtypjen dhe kontrollimin e shoqërisë. Forcat e IRGC-së dhe të sigurisë së shtetit i marrin urdhërat nga Khamenei.
Proponentët e politikës së paqësimit të regjimit të mullahëve kanë nxitur për dekada të tëra ‘dialog konstruktiv’ dhe ‘angazhim kritik’ si dhe ruajtjen e çdo forme të marrëdhënieve me regjimin, me idenë e gabuar se kjo gjë do t’ia ndryshojë sjelljen regjimit. Rezistenca Iraniane ka deklaruar që në fillim se një koncept i tillë është i gabuar që në rrënjë dhe është thjesht një justifikim për të vazhduar me paqësimin e mullahëve në kurriz të popullit iranian. Vendimi për ta shtuar Khamenei-n dhe Zyrën e shokët e tij tek lista e sanksioneve është sigurisht një hap që përqafon pikëpamjen e Rezistencës dhe e largon komunitetin botëror nga keqkuptimi i rrezikshëm i ndryshimit të sjelljes së regjimit; ky vendim duhet të mirëpritet dhe të ndihmohet.