Shkruar nga Mohammad Sadat Khansari më 24 prill 2019.
Nga Mohammad Sadat Khansari
Regjimi Iranian ka kërcënuar se do ta mbyllë rrugën më të ngarkuar të transporteve ujore si përgjigje ndaj vendimit të SHBA-së për të hequr lehtësimet e sanksioneve mbi këtë vend më 2 maj.
Të hënën, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u zotua se SHBA nuk do t’i shtyjë lehtësimet e sanksioneve për tetë vendet – Kina, India, Japonia, Korea e Jugut, Taivani, Greqia, Italia dhe Turqia – që ishin lejuar të vazhdonin të blinin naftë iraniane pas rikthimit të sanksioneve nëntorin e shkuar.
Sanksionet hynë në fuqi pasi SHBA u tërhoq nga pakti bërthamor, duke dhënë si arsye shkeljet që Irani i ka bërë rezolutës së OKB-së lidhur me këtë pakt.
Çfarë bëri Regjimi Iranian?
Alireza Tangsiri, një komandant në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit, i cili është etiketuar rishtas si organizatë terroriste nga SHBA, u betua se do ta bllokonin Ngushticën e Hormuzit, duke ndikuar negativisht në qarkullimin e mallrave, sidomos të naftës. Kjo gjë do t’i bënte transportimet më të rrezikshme dhe më të kushtueshme.
Tangsiri tha: “Do ta mbyllim. Do ta mbrojmë nderin tonë dhe kur vjen puna për të mbrojtur të drejtat e Iranit, do të kundërpërgjigjemi.”
Të martën, një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit i bëri thirrje Iranit që ta mbajë hapur ngushticën dhe rrugët ujore të Bab al-Mandab dhe të “respektojë qarkullimin e lirë të energjisë dhe tregtisë, si dhe lirinë e lundrimit.”
A mundet regjimi iranian ta mbyllë ngushticën?
Është e rëndësishme të dihet se regjimi iranian ka kërcënuar se do ta mbyllë ngushticën shumë herë në të shkuarën, por nuk e ka bërë kurrë këtë. Një nga arsyet më të mëdha për këtë është prania e Flotës së Pestë Amerikane, e cila e ka bazën në Bahrein.
Kjo gjë do ta bënte të vështirë për regjimin iranian që ta mbyllte ngushticën pasi do të vihej menjëherë në rrezik nga Flota Amerikane dhe për shkak se importues të rëndësishëm të naftës, si Kina, do t’i viheshin me shumë mundësi kundër Iranit.
Ka më shumë mundësi që kjo të jetë thjeshtë një përpjekje e regjimit për të bërë kërcënime boshe (dhe mundësisht për të kryer edhe ushtrime ushtarake) me shpresën se do ta frikësojë SHBA-në.