Sunday, September 8, 2024

Bllokimi i Regjimit Iranian Çon në Rrënim

Nga Mahmoud Hakamian

Regjimi Iranian është në krizë si pasojë e vendimit të SHBA-së për t’u dhënë fund lehtësimeve mbi sanksionet për tetë vendet që blejnë naftë iraniane, duke nisur që nga 2 maji, dhe me sa duket, plani i regjimit për të pritur derisa Donald Trump të lërë pushtetin po bëhet çdo ditë e më i parealizueshëm.

Ndërsa rivënia e sanksioneve vitin e shkuar, në vijim të tërheqjes së Trump nga pakti bërthamor i 2015-ës, e dëmtoi ekonominë, përfundimi i këtyre lehtësimeve do ta paralizojë atë.

Në fund të fundit, problemet e tmerrshme ekonomike që datojnë përpara sanksioneve kanë shkaktuar trazira të brendshme dhe kanë çuar në kryengritjen mbarëkombëtare anti-regjim në dhjetor 2017 – një kryengritje që vazhdon ende – dhe Regjimi ka frikë se një shtim i presionit mund të çojë në një revoltë dhe në fundin e regjimit.

Këto sanksione, të cilat e bënë Regjimin të vinte në tryezën e negociatave në 2015-ën, po i gërryejnë burimet e Iranit dhe po ndihmojnë për të mos e lejuar Regjimin që të shpenzojë kaq shumë para për mbështetjen ndaj terrorizmit, ndërhyrjen në vendet fqinje, dhe për represion të brendshëm. Që të jemi të qartë, Irani i paguan militantët e tij, si Hezbollah, Hamas, dhe Houthi, në dollarë amerikanë dhe tani nuk po merr mjaftueshëm dollarë për shkak të sanksioneve.

Përfaqësuesi special i SHBA-së për Iranin, Brian Hook, tha së fundmi: “Kemi patur takime shumë të mira si me sauditët, ashtu edhe me emiratasit, dhe ata i ndajnë me ne shumë prej objektivave të sigurisë kombëtare lidhur me Iranin. Kështu që është në interesin tonë dhe në interesin e tyre që regjimit iranian t’i mohohen të ardhurat që i duhen për të financuar politikën e tij të jashtme.”

E vetmja mundësi që i ka mbetur regjimit iranian është t’i nënshtrohet listës prej 12 kërkesash të SHBA-së, t’i japë fund sjelljes së tij malinje, dhe t’i përdorë paratë e përpjekjet e tij për përmirësimin e jetës së popullit iranian. Megjithatë, edhe pse kjo tingëllon shumë bukur, nuk do të ndodhë. Regjimi është i paaftë të reformohet dhe e vetmja përgjigje është që populli dhe rezistenca e tij t’i rrëzojnë mullahët.

Regjimi duhet të zgjedhë midis fillimit të një lufte që nuk mund ta fitojë dhe premtimit të lëshimeve të cilat nuk do t’i zbatojë asnjëherë. Regjimi do të marrë fund së shpejti.