Nga Shahriar Kia
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i shtuar forcat ushtarake në Lindjen e Mesme ishte i bazuar pjesërisht në informatat që tregonin se regjimi iranian u ka thënë disa prej forcave të tij proksi që tani mund t’i vihen prapa aseteve dhe anëtarëve të personelit të ushtrisë amerikane në rajon, sipas tre zyrtarëve amerikanë që kanë njohuri për këto informata, raporton NBC Neës.
Informatat tregojnë se një zyrtar iranian ka diskutuar aktivizimin e grupeve të mbështetura nga Irani për të marrë në shënjestër amerikanët, por nuk ka përmendur marrjen në shënjestër të ushtrive të vendeve të tjera, thonë zyrtarët.
Mes kërcënimeve specifike që po gjurmon tani ushtria amerikane, thonë zyrtarët, janë sulmet e mundshme me raketa nga anije të vogla iraniane në Gjirin Persik; sulmet në Irak nga grupet militante Shiite të trajnuara nga Irani; dhe sulmet kundër anijeve amerikane nga rebelët Houthi në Jemen.
SHBA e ka akuzuar regjimin iranian se ka transportuar raketa e komponentë raketash përmes rrugëve ujore të rajonit për vite të tëra, duke u dërguar raketa Houthi-ve në Jemen e të tjerëve. Dhe grupet militante Shiite si Baghdad Katib Hezbollah (BKH) kanë qenë në Irak për vite të tëra, duke vepruar si qeliza të fjetura. Ajo që është e re dhe që i ka alarmuar zyrtarët ushtarakë amerikanë, sipas burimeve për NBC Neës, është thirrja për t’i zgjuar dhe aktivizuar këto kërcënime ekzistuese.
Një zyrtar i SHBA-së tha se regjimi iranian zakonisht i fsheh raketat dhe komponentët gjatë transportimit të tyre drejt Houthi-ve. Këto raketa janë të dukshme nga vëzhgimet nga sipër, dhe kjo ka sjellë shqetësime se regjimi iranian mund të tentojë të lëshojë raketa nga anijet e tij. Ka të dhëna që tregojnë se ata kanë edhe lançues të lëvizshëm në bord, thotë njëri nga zyrtarët.
Këta tre zyrtarë thonë se, përveç zbulimit se një zyrtar iranian ka diskutuar sulmet mbi amerikanët, SHBA ka nisur të shohë lëvizje të forcave iraniane dhe atyre të mbështetura nga Irani në vende të ndryshme të rajonit. Kjo gjë e ka shtyrë komandantin e Komandës Qendrore Amerikane, Gjeneralin e Korpusit Detar Frank McKenzie, të kërkojë ardhjen e më shumë forcave në rajon.
Të dielën, Sekretari amerikan në detyrë i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, e miratoi kërëkesën për ta përshpejtuar dërgimin e Grupit të Sulmit me Aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln dhe të një task force bombarduese në rajon. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton e shpalli këtë lëvizje në një deklaratë mbrëmjen e së dielës.
“Komanda Qendrore Amerikane ka parë tregues të qartë së fundmi se forcat iraniane dhe të proksive iranianë kanë bërë përgatitje për sulme të mundshme ndaj forcave amerikane në rajon,” tha zëdhënësi i CENTCOM, Kapiteni Bill Urban. “Kjo përfshin kërcënime nga toka dhe nga deti. Nuk do të kemi mundësi të japim informacione të detajuara mbi kërcënimet specifike në këtë moment.”
“Ta keni të qartë, nuk po kërkojmë luftë me regjimin iranian,” tha të mërkurën Gjenerali McKenzie gjatë një fjalimi në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, një think-tank që kërkon një qëndrim të rreptë nga SHBA ndaj regjimit të Iranit. “Çdo sulm mbi interesat amerikane do të përballet me forcë të paepur.”
Pavarësisht rritjes së pranisë së ushtrisë amerikane në rajon, regjimi iranian nuk e ka ngadalësuar lëvizjen e forcave të tij apo ndryshuar qëndrimin e tij, sipas tre zyrtarëve amerikanë.