Grupi Amerikan i Sulmit Mbërrin në Lindjen e Mesme për t’iu Kundërvënë Kërcënimit të Regjimit Iranianvv

993

 Shkruar nga një Shkrimtar i Stafit më 11 maj 2019.

Nga një Shkrimtar i Stafit

Grupi amerikan i sulmit, i cili përfshin aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln dhe katër bombardues B-52, ka mbërritur tashmë në Lindjen e Mesme si përgjigje ndaj shqetësimeve se regjimi iranian mund të jetë duke planifikuar të sulmojë trupat apo interesat amerikane.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore amerikane, Kapiteni i marinës William Urban, shpalli të enjten se ky grup sulmi ka mbërritur në rajon, përmes Kanalit të Suezit. Ndërsa një zyrtar anonim i mbrojtjes ka konfirmuar se bombarduesit B-52 janë të pozicionuar në Bazën Ajrore Al Udeid në Katar.

Komandanti i CENTCOM, Gjenerali i marinës Kenneth “Frank” McKenzie Jr. tha të mërkurën se kërkesa për shtimin e aseteve ushtarake në rajon është një përgjigje direkte ndaj “disa treguesve dhe paralajmërimeve shqetësuese e përshkallëzuese” nga Irani, ndërsa Shefi i Shtabit të Forcave Ajrore, Gjenerali David Goldfein tha se kjo “dërgon mesazhin se ne mund të përballemi me çdo kërcënim në kohën dhe vendin që zgjedhim vetë”.

Forcat amerikane mbërritën në Lindjen e Mesme në të njëjtën kohë që liderët europianë dënuan kërcënimet e regjimit iranian për shkeljen e paktit bërthamor të 2015-ës duke rifilluar disa seksione të programit të tij bërthamor.

Presidenti i regjimit iranian Hassan Rouhani tha të mërkurën, pak orë para se të viheshin sanksione të reja nga SHBA, se regjimi iranian do të fillonte ta pasuronte uraniumin përtej kufijve të lejueshëm në 60 ditë, nëse fuqitë botërore nuk e mbrojnë këtë vend të Gjrit Persik nga sanksionet amerikane. Regjimi iranian ka kërcënuar gjithashtu se do të largohet krejt nga pakti bërthamor nëse nuk merr mbështetje ekonomike.

Ministritë e jashtme të Bashkimit Europian, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë thanë të enjten në një deklaratë të përbashkët: “Refuzojmë çdo ultimatum dhe do ta vlerësojmë Iranin mbi bazën e performancës së tij lidhur me detyrimet e tij bërthamore.”

Ato e bënë të qartë se donin ta ruanin marrëveshjen, e cila ia ka hequr sanksionet ndërkombëtare regjimit iranian në këmbim të një kufizimi të programit të tij bërthamor, edhe pse SHBA u tërhoq majin e shkuar.

Ministri i Jashtëm i regjimit iranian Mohammad Javad Zarif iu përgjigj liderëve europianë në Tëitter, duke shkruar: “Deklarata e BE-së sot është arsyeja pse [pakti bërthamor] është në këtë gjendje: SHBA e ka kërcënuar Europën—dhe pjesën tjetër të botës—për një vit dhe BE mund të shprehë vetëm “keqardhje”. Në vend të kërkesave që Irani ta zbatojë në mënyrë të njëanshme një marrëveshje shumëpalëshe, BE duhet t’i përmbushë detyrimet e veta – duke përfshirë normalizimin e lidhjeve ekonomike.”

Sanksionet që Donald Trump vuri të mërkurën kanë në shënjestër eksportet e metaleve të regjimit iranian, të cilat kanë qenë burime të mëdha të ardhurash për vendin. SHBA ka sanksionuar më parë industrinë iraniane të automobilëve, përdorimin e dollarit amerikan, dhe eksportet e naftës, sanksione që e kanë tronditur ekonominë iraniane.