Friday, January 27, 2023

Nuk Ka Vend për Gra në Qeverinë e Re të Iranit

Qeveria iraniane njihet si një regjim mizogjinist. Që nga fillimi i sundimit të saj teokratik, viktimat kryesore të këtij sundimi mizor kanë qenë gratë e shtypura nga ligje e politika fondamentaliste. Ato janë përjashtuar nga të gjitha agjendat dhe pozicionet kryesore sociale sepse në sytë e mullahëve, gratë janë thjesht njerëz të dorës së dytë.

Natyra e kabinetit të Iranit dhe mungesa e grave është një mospërfillje e qartë ndaj gjysmës së popullsisë së vendit, pa i marrë në konsideratë të drejtat e tyre të patjetërsueshme njerëzore e sociale.

Kabineti i propozuar nga Presidenti Ebrahim Raisi është prezantuar pa praninë e asnjë gruaje. Nga ana tjetër, detyrat e grave në zëvendës-presidencat nuk janë përcaktuar ende, dhe parashikohet se gratë nuk do të kenë ndonjë vend të madh në strukturën e re të kabinetit.

Edhe po të supozohet se gra nga ekstremi fondamentalist i djathtë janë zgjedhur për zëvendës-presidencën, të paktën tregohej se kishte një besim tek prania e grave në postet e larta menaxhuese në qeverinë e re, dhe se në këto nivele merret në konsideratë respekti dhe dinjiteti i grave. Por këtë herë, regjimi nuk mundi t’i toleronte as gratë e klasës së tij të cilat janë besnike ndaj parimeve të regjimit.

Vlen të përmendet që edhe në qeverinë e Mahmoud Ahmadinejad ka patur një grua në kabinet, edhe pse, sigurisht, ajo u hoq nga kabineti në mënyrën më të keqe të mundshme për problemin më të vogël, por në kabinetin e Raisi-t, nuk shohim as edhe një grua të vetme.