Wednesday, February 8, 2023

Numri i martesave të vajzave fëmijë rritet me 10.5% në Iran

Qendra Statistikore e Iranit tha dje se numri i martesave të vajzave nga mosha 10 deri në 14 vjeç është rritur me 10.5% në 2020-ën krahasuar me 2019-ën.

Raporti, i publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve ROKNA, thotë se 31,379 vajza të moshës 10-14 vjeç janë martuar në 2020-ën dhe se 1,346 foshnja kanë lindur nga nëna nën 15 vjeç.

Raporti thotë gjithashtu se në 2020-ën janë martuar 20 djem nën moshën 15 vjeç dhe një vajzë nën moshën 10 vjeç. Kjo tregon se mijëra vajzat 10–14-vjeçare nuk janë martuar me djem moshatarë të tyre.

Sipas Qendrës Statistikore të Iranit, 154,242 vajza të moshës 15 deri në 19 vjeç janë martuar në 2020-ën, gjë që tregon një rritje me 6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Raporti thotë se 21,278 djem të të njëjtës grupmoshë janë martuar në 2020-ën.

Këto statistika mbulojnë vetëm martesat e regjistruara. Shumë iranianë, kryesisht në zonat e largëta, nuk i regjistrojnë zyrtarisht martesat e fëmijëve të tyre.

Martesat e fëmijëve kanë një impakt shkatërrimtar mbi vajzat e vogla. Atyre u vidhet fëmijëria, përballen me një rrezik shumë më të lartë abuzimi e komplikacionesh shëndetësore, dhe shpesh privohen nga arsimimi.

Parlamenti iranian e ka refuzuar vazhdimisht projektligjin që propozon rritjen e moshës së martesës për fëmijët.

Projektligji i ashtu-quajtur “për bashkëshortët fëmijë”, i prezantuar në parlament në 2016-ën, propozon një ndalim absolut të martesave të vajzave iraniane nën 13 vjeç dhe të djemve nën 16.

Sipas deputetit Hassan Nourozi, i cili është një mbështetës i fortë i refuzimit të këtij projektligji, ky projektligj ka “probleme”.

“Në opinionin tonë, ka disa probleme në projektligjin e propozuar sepse shumë nga kriteret janë të papranueshme. Sipas përfaqësuesve në Komisionin Ligjor, një vajzë 15-vjeçare nuk konsiderohet fëmijë… dhe është e përshtatshme për t’u martuar,” thotë ky klerik.

Nourozi thotë se, sipas ligjeve të sheriatit, jurisprudencës së Qom, dhe ekspertëve iranianë e libanezë, një vajzë hyn në pubertet në moshën 9 vjeçare dhe mund të konsiderohet e përshtatshme për t’u martuar.

Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës i ndalon martesat e fëmijëve.