Një Ndjesi Urgjence në Rritje Nxit Apelin më të Gjerë për Hetim nga OKB mbi Masakrën e 1988-ës në Iran

643

Të enjten, organizata Drejtësi për Viktimat e Masakrës së 1988-ës në Iran (JVMI), me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, mbajti një konferencë për shtyp në Church House në Londër, për të përsëritur thirrjen e saj të kahershme për një hetim ndërkombëtar mbi atë që është quajtur si krimi më i rëndë i regjimit iranian kundër njerëzimit. Konferencës për shtyp i parapriu të martën publikimi i një letre të hapur drejtuar Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe të nënshkruar nga 463 individë dhe institucione të spikatura.

Ish-shefi i Seksionit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Irak dhe presidenti i JVMI-së, Tahar Boumedra, e përshkroi letrën dhe fushatën ku ajo bazohet si “thirrja më e madhe ndërkombëtare në histori, drejtuar OKB-së nga komuniteti ndërkombëtar i ekspertëve të të drejtave të njeriut për t’u kërkuar llogari zyrtarëve iranianë për masakrën e vitit 1988”.

Boumedra drejtoi konferencën për shtyp të së enjtes së bashku me ish-ministren e Mbretërisë së Bashkuar për Zhvillimin Ndërkombëtar, baroneshën Verma, dhe Struan Stevenson, ish-deputet skocez i Parlamentit Europian dhe drejtor aktual i Fushatës për Ndryshim në Iran. Verma e përdori këtë event për të komentuar mbi ndikimin e mundshëm të letrës, duke vënë në dukje se ajo ka të ngjarë ta përforcojë konkluzionin e mëparshëm të Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se nuk ka “asnjë  barrierë ligjore për një hetim ndërkombëtar lidhur me masakrën”.

Vetë letra i kërkon Këshillit të të Drejtave të Njeriut “ta sfidojë urgjentisht pandëshkueshmërinë që gëzojnë zyrtarët iranianë duke urdhëruar një hetim ndërkombëtar për ekzekutimet masive të vitit 1988 dhe zhdukjet me forcë të mijëra të burgosurve politikë, që përbëjnë krime të vazhdueshme kundër njerëzimit”.

Përmendja e “pandëshkueshmërisë” të kujtonte një numër deklaratash të mëparshme nga JVMI dhe organizata të tjera, duke përfshirë një deklaratë nga Amnesty International, e cila i referohej zgjedhjes së presidentit iranian Ebrahim Raisi në qershor si një “kujtesë e zymtë se pandëshkueshmëria ka pushtet absolut” në udhëheqjen e vendit. .

Në vitin 1988, Raisi ishte zëvendësprokuror për Teheranin, dhe pas një fetvaje nga Udhëheqësi Suprem Ruhollah Khomeini në lidhje me opozitën e organizuar ndaj regjimit teokratik, ai u bë një nga autorët kryesorë të masakrës që rezultoi. Raisi ishte një nga katër zyrtarët që bënin pjesë në “komisionin e vdekjes” të Teheranit, i cili mbikëqyrte marrjen në pyetje dhe ekzekutimin e të burgosurve politikë në burgjet Evin dhe Gohardasht.

Autoriteti i tij personal më vonë u zgjerua në lokalitete të tjera me urdhër të drejtpërdrejtë të Khomeinit, me sa duket si rezultat i angazhimit të tij të veçantë për implementimin e plotë të fetvasë.

Letra e së martës, duke e cituar këtë dokument të vitit 1988, tregonte se ai kishte në shënjestër grupin kryesor opozitar të Iranit, Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit PMOI/MEK, dhe dekretonte se ata që “mbesin të palëkundur në mbështetjen e tyre” po “bëjnë luftë kundër Zotit dhe janë të dënuar me ekzekutim”.

Akuza për gjenocid shfaqet në paragrafin e parë të deklaratës për shtyp të JVMI në lidhje me konferencën për shtyp të së enjtes, e cila e cilëson gjithashtu masakrën më në përgjithësi si një “krim kundër njerëzimit”. Ky përshkrim duket i padiskutueshëm për shkak të faktit se komisionet e vdekjes në Teheran dhe qytete të tjera besohet se kanë urdhëruar varje ose vdekje me pushkatim për më shumë se 30,000 të burgosur politikë gjatë një periudhe prej rreth tre muajsh.

Baronesha Verma vuri në dukje në konferencën për shtyp të së enjtes se qeveritë perëndimore kishin qenë pak a shumë të vetëdijshme për vrasjet masive ndërkohë që ato ishin ende në vazhdim, pasi ishin paralajmëruar me shkrim nga kreu i MEK Massoud Rajavi, mes të tjerësh. Prandaj, ajo nxori si përfundim se këto qeveri kanë përgjegjësinë për ta sfiduar pandëshkueshmërinë e Iranit duke përdorur Kombet e Bashkuara si një forum për të nxitur hetime ndërkombëtare mbi këtë dhe krime të tjera kundër njerëzimit të kryera nga regjimi iranian.

Konferenca për shtyp i bëri jehonë mendimit të shprehur në letrën e së martës në lidhje me mundësinë që abuzimet me të drejtat e njeriut në Iran të zgjerohen më tej në mungesë të llogaridhënies për krimet e shkuara.

“Ne jemi të shqetësuar se mungesa e kërkesës së llogarisë ndaj autorëve të krimeve nga ana e komunitetit ndërkombëtar mund t’i inkurajojë autoritetet iraniane për të kryer mizori të mëtejshme kundër protestuesve disidentë dhe të burgosurve politikë, siç u dëshmua gjatë shtypjes gjakatare të protestave mbarëkombëtare të vitit 2019,” thuhet në letër.

Protestat në fjalë shpërthyen spontanisht në gati 200 qytete dhe qyteza në nëntor të atij viti, por u shtypën shumë shpejt nga autoritetet që hapën zjarr mbi turmat duke përdorur municione luftarake. Përafërsisht 1500 demonstrues paqësorë u vranë dhe mijëra të tjerë u arrestuan. Më pas, shumë prej këtyre u përballën me tortura gjatë një periudhe disa mujore, siç detajohet në një raport të Amnesty International, të titulluar “Të shkelësh njerëzimin”.

Fjalët e Struan Stevenson në konferencën për shtyp të JVMI theksuan rolin udhëheqës të Raisit në këtë shtypje, e cila u zhvillua në kohën kur ai ishte kreu i gjyqësorit të Iranit. Stevenson më pas nënvizoi disa nga mjetet me të cilat shtetet individuale dhe entitetet individuale brenda këtyre shteteve mund të ushtrojnë presion mbi abuzuesit iranianë të të drejtave të njeriut ndërkohë që presin që Kombet e Bashkuara të hapin hetimin e kërkuar.

Ai vuri në dukje se kishte bërë personalisht një kërkesë që Raisi të arrestohej në rast se shkelte në tokën skoceze. Kjo me sa duket e pengoi presidentin iranian të merrte pjesë në samitin COP26 për ndryshimet klimatike në Glasgow. Stevenson gjithashtu vuri në dukje se kërkesa të ngjashme u janë paraqitur autoriteteve ligjore edhe në vende të tjera, duke deklaruar më pas se Raisi “bën mirë të jetë i vetëdijshëm se, po të shkelë ndoshta kudo në perëndim, … ai mund të përballet me arrestim të menjëhershëm dhe pandëshkueshmëria e tij do të marrë fund”.

Kërcënimi i arrestimit në tokë të huaj është i besueshëm në dritën e parimit të juridiksionit universal, i cili lejon pothuajse çdo shtet të ndjekë penalisht shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare, edhe nëse ato shkelje nuk kanë patur ndikim të drejtpërdrejtë në vendin e ndjekjes penale. Në vitin 2019, ky parim u përdor për të përligjur arrestimin e Hamdi Noury, një ish-zyrtar i burgjeve iraniane, gjatë vizitës së tij në Suedi. Noury aktualisht është duke u gjykuar për krime lufte dhe vrasje masive bazuar në pjesëmarrjen e tij në masakrën e vitit 1988. Pas më shumë se tre dekadash, ai është zyrtari i parë i cili po gjykohet për këtë.

Nënshkruesit e letrës së hapur të së martës shpresojnë se ai nuk do të jetë i fundit. Kjo letër duket se pajtohet me mundësinë e ndjekjeve penale të mëtejshme të bazuara në juridiksionin universal, pasi citon një deklaratë të Amnesty International që kërkonte pikërisht këtë zgjidhje.

Megjithatë, fokusi i letrës mbetej në perspektivën për një hetim të udhëhequr nga OKB që do të rezultojë në ndjekje penale në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Në fakt, ky apel forcohej edhe nga fakti se nënshkrimet e letrës përfshijnë atë të gjyqtarit Sang-Hyun Song, ish-president i ICC-së (Gjykatës Penale Ndërkombëtare). Atij iu bashkuan më shumë se 100 zyrtarë të tjerë aktualë dhe të mëparshëm të OKB-së, duke përfshirë ish-krerë të Këshillit të Sigurimit dhe Komisionit të të Drejtave të Njeriut.

Shumë prej këtyre zyrtarëve patën nënshkruar emrat e tyre në një thirrje të mëparshme për veprim në maj 2021, vetëm disa javë përpara se Raisi të emërohej president. Ky zhvillim me sa duket ka sjellë një ndjesi të re urgjence në këtë fushatë përmes “kujtesës së zymtë” të tij për pandëshkueshmërinë e Iranit.

“Ky është një regjim që po e vendos veten mbi ligjin ndërkombëtar,” tha Tahar Boumedra në konferencën për shtyp të së enjtes, “dhe kjo është arsyeja pse ne duhet ta vëmë këtë regjim para përgjegjësisë; ne duhet që të gjithë ata që morën pjesë në këtë krim, përfshirë presidentin e Republikës Islamike, Ebrahim Raisi – duhet t’i kërkojmë llogari të gjithëve.”