Ndërsa dita e llogaridhënies për sundimtarët teokratikë të Iranit po afron, Reza Pahlavi – trashëgimtari i mërguar i një monarkie të rrëzuar, sundimi 37-vjeçar i të cilës u shënua nga shtypje brutale, shkatërrimi i lirive civile dhe asgjësimi i opozitës demokratike të Iranit – po përpiqet sërish të paraqitet si shpëtimtari i kombit, ashtu siç bëri gjatë kryengritjes mbarëkombëtare të vitit 2022. Ishte nën sundimin autokratik të babait të tij që u mbollën farat e teokracisë aktuale, duke ia dorëzuar vendin mullahëve në një pjatë argjendi.
Tani, i zhytur në luks dhe i mbështetur nga pasuri që besohet gjerësisht se janë vjedhur nga pasuria kombëtare e Iranit, Pahlavi pozon si shpëtimtar – pavarësisht se nuk ka mbajtur kurrë një post publik, nuk ka drejtuar një institucion demokratik dhe nuk ka rrezikuar asgjë për lirinë e popullit iranian. I veshur me petkun e zbehtë të nostalgjisë monarkiste, ai nuk ofron asnjë vizion për një të ardhme demokratike – vetëm një kthim reaksionar në një të kaluar të diskredituar dhe despotike.
Pozicionimi i Pahlavit shpesh luan drejtpërdrejt në favor të narrativës së teokracisë në pushtet, duke forcuar iluzionin se opozita demokratike është e përçarë dhe se nuk ekziston asnjë alternativë e qëndrueshme ndaj status quo-së së zymtë, duke lënë qeveritë perëndimore pa zgjidhje tjetër veçse të shpëtojnë mullahët nga kolapsi.
Klerikët shpesh pranojnë dobinë e pranisë së Pahlavit. Gazeta shtetërore Vatan-e Emrooz vërejti më herët këtë vit: “Përçarjet kanë zvogëluar ndjeshëm ndikimin e opozitës… Pahlavi dhe monarkistët kanë përfunduar në favor të Iranit dhe Republikës Islamike. Duke krijuar ndarje dhe dobësuar unitetin, ata praktikisht hapën rrugën për kolapsin e idesë së përmbysjes dhe e kthyen atë në një cirk.”
Në një intervistë më 7 prill 2025, Pahlavi pretendoi: “Të rinjtë e sotëm iranianë po përsërisin atë që [babai im] parashikoi,” duke e paraqitur babanë e tij, Shahun, si një vizionar. Natyrisht, ai anashkalon realitetin e diktaturës njëpartiake të babait të tij, korrupsionin endemik dhe shtypjen brutale nga SAVAK-u, policia sekrete famëkeqe. Siç kujtoi diplomati amerikan Ambasadori John Craig pas takimit me Shahun në vitin 1978, pak para revolucionit, ai dukej “i plogësht” dhe “në gjendje kome,” një monark që zbehej në një pallat të zbrazët, në pritje të kolapsit. Kujtesa selektive e Rezës nuk është vetëm revizioniste, por edhe diskualifikuese.
Edhe pse Pahlavi këmbëngul se “forma përfundimtare e qeverisjes u takon iranianëve të vendosin,” retorika e tij shpesh anon nga territori autoritar, duke e pozicionuar veten mbi grindjet dhe duke u shpallur udhëheqësi i ligjshëm i popullit iranian – duke zbuluar një vijë narcisiste dhe iluzioniste që të kujton një diktator. Kjo i ka larguar iranianët nga pothuajse çdo segment i shoqërisë, përveç një pakice në tkurrje që është besnike ndaj regjimit të vjetër, veçanërisht ndaj policisë sekrete famëkeqe, SAVAK-u.
Kjo dykuptimësi ka shpërqendruar energjinë nga rezistenca popullore për të sfiduar propagandën e rreme të regjimit. Siç vërejti Vatan-e Emrooz: “Opozita është lodhur rëndë që nga vjeshta e vitit 2022… Roli i Pahlavit dhe rojalistëve në thellimin e përçarjeve është i pamohueshëm.” Kjo e ka lënë Pahlavin të rrethuar jo nga një lëvizje kombëtare, por nga një monarki e vetmuar.
Ai ka promovuar gjithashtu një strategji të “presionit maksimal + mbështetje maksimale = dezertime maksimale.” Në intervistat e fundit, Pahlavi ka bërë thirrje për para të huaja për të nxitur të brendshmit e regjimit të ndërrojnë anë. Duke bërë kështu, ai i jep regjimit një tjetër mjet të fuqishëm propagande: imazhin e opozitës si të mbështetur nga të huajt që komplotojnë për ndryshim regjimi nga jashtë. “Karta e Solidaritetit” e tij shumë e promovuar, e publikuar me bujë të madhe në shkurt 2023, u shemb në grindje, duke luajtur drejtpërdrejt në narrativën e regjimit për një opozitë të copëtuar dhe duke i dhënë makinës së saj të propagandës një fitore.
Edhe më shqetësuese janë kontaktet e pranuara të Pahlavit me Gardën Revolucionare (IRGC), një grup i përcaktuar si organizatë terroriste nga SHBA-ja. Sipas rrëfimit të tij, këto ndërveprimë shtrihen përgjatë dy dekadave. Në një intervistë më 7 prill, ai tha: “Një çelës për një shpërthim të kontrolluar është dezertimi i atyre që janë të lidhur me regjimin,” duke lënë të kuptohet për afrime të vazhdueshme me të brendshmit e IRGC-së. Disa nga këshilltarët e tij kanë lidhje të kaluara me qarqet e regjimit, duke i bërë linjat edhe më të paqarta.
Kur bëhet fjalë për përcaktimin e politikës së duhur, thirrja e paqartë e Pahlavit për “mbështetje maksimale” s’është gjë tjetër veçse retorikë, pa ofruar asnjë strategji konkrete për çmontimin e tiranisë. Ilaçi i tij i vetëm – mosbindja civile – nëse nuk buron nga naiviteti, është krejtësisht i pamjaftueshëm përballë një regjimi që mbështetet nga një aparat shtypës i organizuar dhe i pamëshirshëm. Çuditërisht, Pahlavi ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka ndërmend të kthehet në Iran edhe nëse teokracia bie dhe ka shpallur hapur mungesën e vullnetit për të sakrifikuar liritë e tij për ato të popullit që pretendon se do të çojë drejt lirisë, duke u ankuar në një intervistë të fundit: “Kjo do të ishte e padrejtë.”
Sikur kjo të mos mjaftonte, mbështetësit e tij kryesorë – të cilët rivalizojnë banditët e regjimit në zellin e tyre dhe prirjen për sulme të ulëta ndaj kundërshtarëve – kanë shkuar aq larg sa të shpallin: “Zoti i të gjithë iranianëve është Mbreti Reza Pahlavi,” duke e kurorëzuar jo thjesht si monark, por si një figurë hyjnore. Ky kult personaliteti vetëm sa thellon shkëputjen mes klikës së Pahlavit dhe aspiratave të një populli që dëshiron ndryshim të vërtetë demokratik.
Ekuivokimet e Pahlavit mbi monarkinë e vendosin atë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me një komb që ka refuzuar si çallmën dhe petkun e mullahëve, ashtu edhe kurorën dhe mantelin e Shahut. Alternativa e vërtetë, e artikuluar me qartësi dhe bindje nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Presidentja e zgjedhur e tij, Maryam Rajavi, është një republikë laike dhe demokratike e ndërtuar jo mbi fantazi, por mbi sakrificë, organizim dhe strategji. Kjo është e vetmja alternativë që ia vlen të mbështetet.
NGA: townhall.com