Sunday, September 8, 2024

WSJ: Terrorizmi Iranian në Tokën Europiane

 Wall Street Journal publikoi të martën një artikull nga Hossein Abedini i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) rreth komplotit të fundit terrorist nga regjimi i mullahëve kundër kongresit Free Iran në Paris. Më poshtë vijon teksti i plotë i artikullit në botimin e Wall Street Journal më 24 korrik, 2018:

Wall Street Journal

Terrorizmi Iranian në Tokën Europiane

Unë u sulmova në Stamboll në vitin 1990. Një sulm në Paris u parandalua këtë muaj.

Nga Hossein Abedini

“Hossein, e ke dëgjuar lajmin për komplotin për të bombarduar tubimin?” Më pyeti kolegu im teksa hyja në zyrë të hënën, më 2 korrik. Ai e kishte fjalën për mbledhjen e madhe të opozitës iraniane, të mbajtur afër Parisit të shtunën e kaluar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit. M’u rrëqeth trupi teksa më erdhën kujtimet e 28 viteve më parë në Stamboll.

Në mes të pasdites së 14 marsit, 1990, po më çonin me makinë në aeroportin e Stambollit. Papritmas, na e bllokoi rrugën një makinë. Një makinë tjetër na bllokoi nga prapa, dhe nga makina përballë kërcyen dy burra të huaj me pistoleta.

Unë hapa derën e makinës dhe iu vërsula, duke mbajtur vetëm një valixhe të vogël. Njëri prej tyre qëlloi me nëntë plumba, ndërsa pistoleta e tjetrit u bllokua. Ata u arratisën. Mezi mbijetova për katër muaj, duke ndenjur mbi 40 ditë në koma në Spitalin Ndërkombëtar të Stambollit.

Pak ditë pas sulmit, televizioni shtetëror në Teheran shpalli—në mënyrë të rreme—se Mohammad Mohaddessin, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI, ishte vrarë në Stamboll. U bë e qartë se sulmuesit kishin pasur në shënjestër atë dhe jo mua. Gjithsesi, Teherani u përpoq disa herë të më eliminonte gjatë kohës kur isha në spital. Në një rast, agjentët u maskuan si policë turq; në një rast tjetër, pretenduan se ishin miq që donin të më bënin vizitë.

Ato komplote u parandaluan, por shumë viktima të tjera nuk qenë aq me fat. Aktivisti i të drejtave të njeriut, Kazem Rajavi, u qëllua për vdekje në Gjenevë po atë vit, dhe disa aktivistë kurdë u vranë në dy vitet që pasuan. Një gjyq gjerman katër vjet më vonë tregoi përfshirjen e zyrtarëve më të lartë në Teheran.

Pak ka ndryshuar që atëherë. Muajin e shkuar, autoritetet belge arrestuan dy persona me shtetësi belge dhe origjinë iraniane teksa po udhëtonin për në atë tubim në Paris, ku ishin të pranishëm dhjetëra mijëra njerëz dhe qindra personalitete nga SHBA, Europa dhe Lindja e Mesme. Iraniano-belgët kishin më shumë se një paund nga eksplozivi i fuqishëm TATP dhe një detonator. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve belge, franceze dhe gjermane, një komplot i madh terrorist në Europë u parandalua pak orë përpara se të ndodhte.

Në mënyrë të pavarur, policia gjermane arrestoi Assadollah Assadi-n, një diplomat iranian i bazuar në Vienë. Sipas prokurorëve federalë gjermanë, Z. Assadi, shefi i stacionit të Ministrisë Iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë, ishte organizatori i komplotit për bombardim. Ai i kishte urdhëruar belgët të sulmonin tubimin, dhe ua kishte dorëzuar eksplozivët në një takim në qershor në Luksemburg. Ai u arrestua me një urdhër europian teksa po kthehej me nxitim në Austri, ku gëzonte imunitet diplomatik.

Më 10 korrik, një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit theksoi se komploti për të bombarduar tubimin e opozitës në Paris ishte thjesht shembulli më i fundit i përdorimit të mbulimit diplomatik nga Irani për të organizuar akte terrorizmi në zemër të Europës. Atëherë pse heshtin qeveritë europiane pas kësaj? Pyes veten se sa larg janë të gatshme të shkojnë për të paqësuar teokracinë që sundon Iranin.

Europa duhet ta kuptojë se nuk mund të bëjë biznes si zakonisht me një shtet që e ka institucionalizuar terrorizmin si art të qeverisjes. Ambasadat dhe agjensitë e regjimit të ajatollahëve janë qendra terrorizmi dhe spiunazhi. Vendet europiane duhet t’i përjashtojnë diplomatët e regjimit dhe agjentët e inteligjencës dhe t’i zbardhin për publikun të gjitha detajet e këtij rasti të parandaluar terrorizmi. Vetëm në këtë mënyrë mundet bota të gjymtojë makinën e terrorit të regjimit iranian—gjë që do të ishte e mirë për botën, rajonin dhe për vetë Iranin.

  1. Abedini është një Anëtar i mërguar i Parlamentit të Rezistencës Iraniane dhe i përket Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.