Komplotet Terroriste të Regjimit Iranian Kundër MEK-ut Theksohen në Raportin e Ri të SHBA-së

1366

“Irani mbetet sponsori më i keq shtetëror i terrorizmit në botë.” Kështu thuhet në Country Reports on Terrorism 2018 (Raportet e Vendeve për Terrorizmin 2018), që është publikuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të premten, më 1 nëntor 2019.

“Regjimi ka shpenzuar afërsisht një bilion dollarë në vit për të mbështetur grupe terroriste të cilat shërbejnë si proksit e tij dhe e përhapin ndikimin e tij keqdashës në mbarë globin,” thotë raporti vjetor i Departamentit të Shtetit.  

“Teherani ka financuar grupe terroriste ndërkombëtare si Hizballah, Hamas, dhe Xhihadin Islamik Palestinez.” 

“Ai ka kryer gjithashtu edhe komplote terroriste të vetat nëpër botë, veçanërisht në Europë. Në janar, autoritetet gjermane hetuan 10 operativë të dyshuar të Forcave Qods të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.” 

“Në verë, autoritetet në Belgjikë, Francë dhe Gjermani parandaluan një komplot iranian që kishte për qëllim të shpërthente një bombë në një tubim politik pranë Parisit në Francë,” shton raporti, duke iu referuar tentativës së regjimit për të hedhur në erë tubimin e përvitshëm ‘Free Iran’ në qershor 2018, ku ishte e pranishme udhëheqësja e opozitës iraniane Maryam Rajavi dhe qindra ligjvënës e personalitete ndërkombëtare, si dhe dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës demokratike iraniane. 

“Më 30 qershor, autoritetet franceze dhe belge arrestuan disa individë – duke përfshirë një zyrtar iranian me bazë në Austri – të dyshuar se kishin në plan të sulmonin një event të organizuar nga Mujahedin-e-Khalq në Villepinte. Në tetor, Franca vuri sanksione mbi dy operativë iranianë dhe mbi drejtorinë e brendshme të agjencisë iraniane të inteligjencës (MOIS), e motivuar nga ky komplot i fshehtë terrorist,” vë në dukje raporti.  

“Më 9 tetor, autoritetet gjermane ekstraduan zyrtarin iranian Assadollah Assadi në Belgjikë, pas një beteje ligjore ku ai kërkoi pa sukses statusin diplomatik pas arrestimit të tij më 30 qershor ndërkohë që po kryente, sipas tij, një udhëtim personal në Gjermani. Assadi u arrestua në Gjermani mbi bazën e një urdhër arresti europian ku ai dyshohej për spiunazh dhe për një komplot të fshehtë për të sulmuar aktivistët e opozitës iraniane në një tubim në Francë.” 

“Në tetor, një operativ iranian u arrestua për planifikimin e një vrasjeje në Danimarkë, dhe në dhjetor, Shqipëria përjashtoi nga vendi dy zyrtarë iranianë për planifikim të sulmeve terroriste,” thotë raporti, ku rasti i fundit i referohet tentativës së regjimit për të hedhur në erë festën e Vitit të Ri pers që ishte organizuar në kompleksin e grupit kryesor opozitar iranian, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI), ose Mujahedin-e-Khalq (MEK), në Shqipëri.

“Në dhjetor, Shqipëria dëboi dy zyrtarë iranianë, duke përfshirë Ambasadorin iranian në Shqipëri, si përgjigje ndaj një komploti të sponsorizuar nga Irani për të kryer një sulm terrorist në Shqipëri,” lexon një tjetër pasazh në këtë raport. 

“Në 2018-ën, qeveria iraniane e vazhdoi këtë model sjelljeje, duke mbështetur komplote terroriste për sulme ndaj disidentëve iranianë në disa vende të Europës kontinentale. Në qershor 2018, Hollanda përjashtoi dy diplomatë iranianë të lidhur me vrasjen në nëntor 2017 të një diplomati iranian në tokën hollandeze. Në tetor 2018, autoritetet belge arrestuan një diplomat iranian dhe dy shtetas belgë me origjinë iraniane pasi kishin planifikuar të shpërthenin një bombë në një tubim të grupit opozitar iranian që u zhvillua në qershor 2018 jashtë Parisit. Në tetor 2018, Danimarka e tërhoqi ambasadorin e saj nga Teherani dhe dënoi një komplot të mbështetur nga Irani për të vrarë një disident iranian në Danimarkë. Dhe në fund, në dhjetor 2018, qeveria shqiptare përjashtoi diplomatë iranianë si përgjigje ndaj tentativave të sponsorizuara nga Irani për të kryer sulme terroriste në Shqipëri.”