Terrorizëm- Përjashtimi i Ambasadorit të Regjimit Iranian

803

 Komunikatë për shtyp- Miqtë e një Irani të Lirë

Bruksel- 21 dhjetor 2018 

Miqtë e një Irani të Lirë në Parlamentin Europian mirëpret përjashtimin nga Shqipëria të ambasadorit të regjimit iranian dhe të një diplomati tjetër terrorist.

Muajt e fundit, disa komplote terroriste të regjimit iranian janë neutralizuar nga agjensitë europiane dhe amerikane të sigurisë. Një diplomat iranian i arrestuar në Gjermani ndodhet përballë gjyqit në Belgjikë për një komplot me bombë që kishte në shënjestër tubimin “Irani i Lirë” të opozitës PMOI (MEK) në Paris më 30 qershor 2018.

Danimarka e ka tërhequr gjithashtu ambasadorin e saj nga Irani në vijim të një komploti të parandaluar për të vrarë disidentë iranianë me banim në Danimarkë.

Paralelisht me veprimtaritë terroriste, Teherani shpenzon miliona në një fushatë masive njollosëse në botën perëndimore, duke shpërndarë lajme të rreme dhe keqinformim kundër lëvizjes kryesore opozitare.

Muajin e shkuar, në një deklaratë të përbashkët të firmosur nga 150 anëtarë të Parlamentit Europian, ne kritikuam përqasjen aktuale të BE-së ndaj Iranit. “Heshtja e BE-së faqe shkeljeve brutale të të drejtave të njeriut në Iran dhe mungesa e një përgjigjeje ndaj komploteve serioze terroriste në Europë është e papranueshme.”

150 ligjvënësit e kishin nxitur gjithashtu qeverinë shqiptare, e cila strehon disa mijëra refugjatë të opozitës iraniane “që të mos lejojë agjentë iranianë në territorin e saj” pasi një komplot iranian me bomë u parandalua pranë Tiranës më herët këtë vit.

Për këtë arsye, jemi të lumtur që Shqipëria e ka përjashtuar tashmë ambasadorin e Iranit dhe një diplomat tjetër për faktin se kanë “dëmtuar sigurinë e saj kombëtare”.

I kërkojmë BE-së dhe Shteteve Anëtare një politikë të rreptë ndaj Iranit. Duhet ta vëmë regjimin iranian përpara përgjegjësisë për komplotet e tij terroriste dhe të përjashtojmë operativët e Ministrisë Iraniane të Inteligjencës nga Europa.

Gérard Deprez MEP

Kryetar, Miqtë e një Irani të Lirë

Parlamenti Europian

Miqtë e një Irani të Lirë (FoFI) është një grup informal në Parlamentin Europian i cili është formuar në vitin 2003 dhe gëzon mbështetjen e shumë Anëtarëve të Parlamentit Europian nga grupe të ndryshme politike.