Human Rights Watch ka thënë se autoritetet iraniane duhet të hetojnë mbi vdekjen e aktivistit të burgosur në grevë urie dhe të vënë përpara përgjegjësisë fajtorët, por ky grup i të drejtave njerëzore ka theksuar gjithashtu se kjo gjë vështirë se mund të ndodhë pasi Regjimi ka “dështuar sistematikisht” në këtë fushë duke mos hetuar katër vdekje të tjera të dyshimta në burg këtë vit.
Vahid Sayadi Nasiri, i cili ishte dënuar për “fyerje ndaj Udhëheqësit Suprem dhe besimit të shenjtë, si dhe propagandë kundër shtetit”, u raportua i vdekur nga autoritetet më 13 dhjetor. Ai kishte nisur një grevë urie në shtator dhe kishte kërkuar të transferohej jashtë një godine ku mbaheshin kriminelë të dhunshëm.
Michael Page, zëvendës drejtori për Lindjen e Mesme në Human Rights Watch, ka thënë: “Vdekjet e disidentëve dhe personave të tjerë të cilët, në radhë të parë, nuk duhej të ishin burgosur kurrë nga drejtësia e Iranit, janë një shpërfytyrim i tmerrshëm i drejtësisë. Autoritetet iraniane janë të detyruara të mbrojnë jetët e të gjithë të burgosurve dhe të hetojnë në mënyrë të paanshme çdo vdekje që ndodh.”
Prokurori i Qom, Mehdi Kaheh, ka pretenduar se Sayadi Nasiri vuante nga probleme të mëlçisë dhe ka vdekur në spital, por motra e tij Elaheh ka thënë se ai vuante nga gjakrrjedhje gastrointestinale dhe është transferuar përsëri në burg pavarësisht kësaj.
Sayadi Nasiri, i cili vuante një dënim prej tetë vjetësh për komentet e tij në mediat sociale, raportohet se ishte falur nga Regjimi më 16 mars por u arrestua përsëri më 23 korrik me të njëjtat akuza.