Friday, September 20, 2024

Si të Luftohet Kundër Terrorizmit Iranian

 

Dje në Bruksel u mbajt një konferencë ku u diskutua rreth kërcënimit të rritur terrorist të Regjimit Iranian dhe se si duhet të përgjigjet komuniteti ndërkombëtar. Në konferencë morën pjesë politikanë, ekspertë ligjorë, dhe personalitete nga Europa, Sh.B.A. dhe opozita iraniane.

Konferenca, e titulluar “Vala e Re e Terrorizmit Iranian: Përgjigjet e BE-së dhe SHBA-së”, u drejtua nga Dr. Alejo Vidal Quadras, ish Zëvendës-President i Parlamentit Europian.

Vidal Quadras solli në vëmendje nivelet e rritura të veprimtarive terroriste kundër opozitës iraniane, sidomos kundër Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), si dhe gjykimin e autoriteteve europiane se Regjimi Iranian ka qenë direkt përgjegjës për sulmet në tokën europiane.

Vidal Quadras tha: “Nuk ka patur asnjë deklaratë zyrtare nga kreu [europian] i politikës së jashtme rreth çështjes së veprimtarive terroriste të regjimit iranian në tokën europiane. Pyetja është: Pse? A nuk e dinë ata se çfarë po ndodh? A i leverdis Europës që ta tolerojë terrorizmin e regjimit iranian për hir të paktit bërthamor apo tregtisë me Iranin?”

Vërtet, ka patur dy tentativa terroriste iraniane në Europë vetëm në 2018-ën; një në Shqipëri në mars dhe një tjetër në Francë në qershor. Përpjekja e qershorit rezultoi në arrestimin e katër komplotistëve, përfshirë diplomatin iranian në Vienë, Asdollah Assadi.

Gjatë konferencës, folësit diskutuan në detaje rreth kërcënimit që vjen nga Irani dhe dhanë rekomandime për politikat që duhen ndërmarrë.

Presidentja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi foli në këtë konferencë përmes një mesazhi në video, dhe tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë një politikë “vendosmërie” për t’u përballur me terrorizmin iranian.

Ish ministri i jashtëm italian Giulio Terzi ra gjithashtu dakord se heshtja është një zgjedhje absurde për Europën përballë terrorizmit të Iranit, dhe theksoi se disa autoritete europiane kanë bërë zgjedhjen e duhur, duke përfshirë ekstradimin e Assadi-t në Belgjikë, ku ai do të përballet me akuzat penale, si dhe ngrirjen e aseteve iraniane nga Franca.

Ish Senatori amerikan Robert Torricelli paralajmëroi se këto sulme nuk janë të izoluara, duke nënvizuar se mospërfillja ndaj problemit nuk e bën atë të largohet.

Ai tha: “Duhet ta pranojmë se ky nuk është thjesht një veprim vagabondësh. Ky nuk është një rast ku mund të shohim anën e mirë, të mbyllim sytë apo të shpresojmë për më të mirën. Cilat janë kostot e mosbërjes asgjë? Qeveria e Iranit po vëzhgon. Heshtja është ftesë për sulme të mëtejshme. Një politikë paqësimi është garanci për edhe më shumë terrorizëm.”

Ndërsa Lord Alex Carlile i Berriew, Anëtar i Dhomës Britanike të Lordëve, vuri në dukje se terrorizmi shtetëror i Iranit tregon dobësinë e mullahëve dhe u bëri thirrje “shteteve të qytetëruara” që t’i përgjigjen sulmit, duke theksuar se Irani nuk është një vend me të cilin SHBA dhe BE duhej të kishin bashkëpunuar në radhë të parë.

Mohammad Mohaddessin, Kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të NCRI, tha: “Arsyeja e shtimit të veprimtarive terroriste është kryengritja e popullit iranian. Regjimi e mbështet mbijetesën e tij në shtimin e terrorizmit kundër opozitës.”

Ai këshilloi që Europa t’i përjashtojë agjentët e inteligjencës së Iranit, t’ua ngrijë llogaritë bankare, dhe t’i përfshijë kompanitë e tyre në listën e zezë.