Amnesty International e ka quajtur “të neveritshëm” ekzekutimin në Iran të një 24-vjeçareje kurde, e cila kishte qenë viktimë e dhunës familjare dhe seksuale.
Zeinab Sekaanvand, e cila u ekzekutua mëngjesin e së mërkurës në burgun qendror të Urumieh, në provincën e Azerbaixhanit Perëndimor, ishte dënuar me vdekje sipas ‘qesas’ (ndëshkim me të njëjtën monedhë) në tetor 2014, në vijim të një gjyqi të cilin Amnesty International e ka quajtur “jashtëzakonisht të padrejtë”, ku ajo ishte akuzuar për vrasjen e të shoqit kur ishte vetëm 17 vjeç.
Sekaanvand ishte arrestuar në shkurt 2012 dhe ishte mbajtur për 20 ditë në një stacion policie, ku ishte torturuar nga policë meshkuj. Ajo “rrëfeu” se e kishte vrarë të shoqin, me të cilin ishte martuar në moshën 15-vjeçare, pasi kishte vuajtur për muaj të tërë nga abuzimi fizik e verbal dhe ai e kishte refuzuar kërkesën e saj për divorc.
Ajo nuk kishte patur avokat deri në seancën e fundit gjyqësore, në të cilën ajo e tërhoqi mbrapsht rrëfimin e saj dhe i tha gjykatësit se vëllai i të shoqit, i cili e kishte përdhunuar disa herë, kishte kryer vrasjen dhe i kishte thënë se po ta merrte ajo fajin përsipër, ai do ta falte.
Autoritetet e shpërfillën abuzimin familjar e seksual, duke refuzuar të bënin hetime, dhe e dënuan vajzën me vdekje.
Philip Luther, Drejtori i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në Amnesty International, tha në një deklaratë: “Ekzekutimi i Sekaanvand është një demonstrim i neveritshëm i shpërfilljes së autoriteteve iraniane ndaj parimeve të drejtësisë së të miturve dhe ndaj ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Zeinab ishte vetëm 17-vjeç në kohën e arrestimit. Ekzekutimi i saj është thellësisht i padrejtë dhe tregon përbuzjen e autoriteteve iraniane për të drejtën e jetës së fëmijëve. Fakti që dënimi me vdekje erdhi pas një gjyqi jashtëzakonisht të padrejtë, e bën edhe më mizor ekzekutimin e saj.”