Shefi i Stafit të Rouhani-t: Shtetet europiane duhet ta ndalin mbështetjen ndaj MEK

401

13 janar 2019 – Në përgjigje ndaj sanksionimit të një njësie të inteligjencës dhe dy agjentëve të regjimit iranian, Mahmoud Vaezi, shefi i stafit të presidentit të regjimit, Hassan Rouhani, tha, “nuk ka dyshim që Europa ka qenë një strehë e sigurtë për [PMOI/MEK] dhe gjatë 40 viteve të fundit, i ka mbështetur veprimtaritë e këtij grupi në mënyra të ndryshme.”

Vaezi, duke folur për agjensinë shtetërore të lajmeve IRNA, tha, “Nëse Europa është e sinqertë [në përpjekjet e saj], duhet ta ndalë mbështetjen ndaj [MEK].”

Ndërkohë, Nozar Shafie, një nga ekspertët e punëve të jashtme të regjimit iranian, e vajtoi këtë kthesë që morën ngjarjet për regjimin dhe tha, “Të mos harrojmë që vendet europiane janë bërë vendi i takimit të grupeve që bëjnë thirrje për përmbysjen [e regjimit] si [PMOI/MEK]. Kjo gjë nuk përputhet me shpirtin e  ndërveprimit dhe bashkëpunimit.”

Shafie rekomandoi, “Unë besoj që në bisedimet e saj me Bashkimin Europian, ministria e jashtme duhet të ketë një agjendë më vete për praninë dhe veprimtaritë e grupeve si [PMOI/MEK] në Europë.”

Komentet e zyrtarëve të regjimit iranian vijnë në vijim të sanksioneve të sapo vëna  nga BE, e cila ngriu asetet e një njësie të inteligjencës iraniane dhe të dy individëve nga stafi i saj. Ky vendim erdhi pasi Hollanda akuzoi regjimin iranian për dy sulme terroriste në tokën e saj. Hollanda i bashkohet Francës dhe Danimarkës, dy shtete europiane të cilat e kanë dënuar kohët e fundit regjimin iranian për veprimtaritë e tij terroriste në vendet e tyre.

Vitin e shkuar, regjimi iranian i ka shtuar veprimtaritë e tij terroriste në Europë. Në korrik, autoritetet e disa vendeve europiane zbardhën një komplot të ndërlikuar terrorist që kishte për qëllim të shpërthente një bombë në tubimin Free Iran, mbledhja e përvitshme e rezistencës iraniane, ku ndodheshin të pranishëm dhjetëra mijëra iranianë dhe qindra politikanë nga vende të ndryshme. Assadollah Assadi, orkestruesi i këtij sulmi të parandaluar, ishte një diplomat i lartë në ambasadën e regjimit iranian në Vienë, Austri. Assadi ndodhet aktualisht në Belgjikë, ku i është hequr imuniteti diplomatik dhe po gjykohet për përfshirjen e tij në sulmin terrorist.

 

 

Më herët, në mars, regjimi iranian tentoi të bombardonte festimet e përvitshme të Vitit të Ri pers të anëtarëve të PMOI/MEK në Tiranë, Shqipëri. Përsëri, sulmi u zbulua dhe u parandalua nga autoritetet shqiptare. Në dhjetor, Shqipëria përjashtoi ambasadorin iranian dhe një diplomat tjetër të Iranit për shkak të përfshirjes së tyre në këtë komplot.

Në tetor, autoritetet daneze parandaluan një tjetër komplot terrorist të regjimit iranian, i cili këtë herë kishte në shënjestër disidentë arabë në atë vend.