Më 4 nëntor, sanksionet e Shteteve të Bashkuara mbi Iranin do të hyjnë plotësisht në fuqi. Administrata Trump ka paralajmëruar se do të ketë pasoja të mëdha për vendet që bëjnë biznes me Iranin (përveç rasteve të bërjes së lëshimeve) pas këtij afati.
Javën e shkuar, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo paralajmëroi se do të ketë pasoja për vendet, individët, entitetet që vendosin të vazhdojnë veprimtaritë ekonomike me Iranin.
Asistent-Sekretari amerikan Marshall Billingslea tha gjithashtu javën e shkuar se do të viheshin sanksione mbi Mahan Air dhe mbështetësit e këtij transportuesi iranian. Kjo kompani ajrore ka qenë e përfshirë në transportimin e armëve dhe personelit për në Siri në përpjekje për të mbështetur Bashar al Assad-in.
Wall Street Journal raportoi javën e shkuar se My Aviation Company Ltd, një kompani tailandeze me bazë në Bangkok, është sanksionuar nga Departamenti amerikan i Thesarit për shkak se ka punuar me Mahan Air, kompaninë më të madhe ajrore të Iranit. Administrata Trump ka thënë se kjo kompani ajrore vazhdon ende të dërgojë fluturime në Siri dhe se ka shqetësime se mund të ndodhë një tjetër sulm me armë kimike, duke vënë në rrezik shumë civilë.
Steven Mnuchin, Sekretari amerikan i Thesarit, tha: “Mahan Air vazhdon të fluturojë për në Siri çdo javë, ndërkohë që miliona civilë të pafajshëm në provincën Idlib janë në rrezik të një sulmi nga regjimi vrasës i Assad-it dhe mbështetësit e tij në Iran dhe Rusi.”
Në vitin 2011, Mahan Air u sanksionua për shkak të mbështetjes së saj ndaj njësisë elitare ushtarake të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Forca Quds. Forca Quds përdoret nga regjimi iranian për të financuar e menaxhuar proksit e tij të shumtë në mbarë rajonin. Ka patur prova se kjo kompani ajrore iraniane ka dërguar luftëtarë në Siri, duke përfshirë foto të shpërndara në mediat sociale.
Sigal Mandelker, i cili është në krye të sanksioneve në Thesarin e SHBA-së, vuri në dukje: “Nuk shkon kush për pushime në Siri. Ata dërgojnë e marrin vazhdimisht luftëtarë e materiale nga Siria.”
Kur Presidenti amerikan shpalli se Shtetet e Bashkuara do të dilnin nga pakti, ai shpjegoi se regjimi iranian e ka gëzuar pandëshkueshmërinë për një kohë shumë të gjatë dhe se misioni i tij do të ishte që t’i jepte fund kësaj pandëshkueshmërie.