SHBA Ende Do që Eksportet e Iranit të Shkojnë në Zero

675

 Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara mbi Iranin, Brian Hook, tha të mërkurën se SHBA vazhdon të jetë e vendosur që t’i çojë në zero eksportet iraniane të naftës, një premtim i bërë disa herë këtë vit nga Donald Trump, duke përdorur një përqasje të ‘kalibruar’ e cila do të garantojë presion maksimal ekonomik mbi këtë shtet vagabond pa i ngritur çmimet globale të naftës.

Të hënën, më 5 nëntor, SHBA rivendosi sanksionet mbi naftën dhe mbi industritë bankare e të transportit detar të Iranit, ashtu siç kishte premtuar Trump kur u tërhoq në maj nga pakti bërthamor i 2015-ës ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore. Ideja është që, duke ia ndërprerë Iranit burimin kryesor të të ardhurave, – eksportet e naftës – regjimi do të detyrohet të ulet serish në tryezën e negociatave për një marrëveshje që adreson të gjithë sjelljen negative të mullahëve.

Edhe pse administrata Trump kishte planifikuar t’i çonte në zero eksportet e naftës iraniane deri në kohën e hyrjes në fuqi të sanksioneve, ata kanë bërë përjashtime të përkohshme për tetë vende – Kina, India, Korea e Jugut, Taivani, Japonia, Greqia, Italia dhe Turqia. Hook ka refuzuar të japë detaje mbi marrëveshjet e dyanshme konfidenciale me këto vende, por ka thënë se kjo gjë do të ndihmojë në ndërprerjen e plotë të eksporteve të naftës së Iranit, pa vënë në rrezik tregun e naftës.

Ai tha: “Kemi qenë shumë të kujdesshëm në ushtrimin e një presioni maksimal ekonomik (mbi Iranin) pa ngritur çmimin e naftës dhe kemi patur sukses në këtë gjë. Do të vazhdojmë në rrugën tonë për në zero. Duam të arrijmë presionin maksimal pa dëmtuar miqtë e aleatët dhe nuk duam ta rrisim çmimin e naftës. … E kemi kalibruar shumë mirë këtë gjë.”