Një të burgosure iraniane të ndërgjegjes po i mohohet kujdesi mjekësor, një krim i njohur si terrorizëm mjekësor, i cili ndodh rëndom nën Regjimin Iranian.
Gruas Baha’i, Negin Ghadamian, e cila po vuan dënimin me pesë vjet në Burgun Evin për shkak se u ka mësuar letërsi perse studentëve Baha’i, po i mohohet trajtimi dentar në një klinikë të jashtme pasi Z. Khani, kreu i klinikës së burgut, nuk e ka autorizuar transferimin e saj në një spital pavarësisht faktit që prokuroria e ka dhënë lejen për ta transferuar.
Ghadamian, një mësuese në Institutin Baha’i për Arsimin e Lartë (BIHE), u arrestua në aeroport më 16 dhjetor 2017, teksa ajo dhe i shoqi Pouya Oladi po përpiqeshin të hipnin në një avion për në Europë.
Ajo u dërgua drejt e në burg për të nisur dënimin që i ishte dhënë në vitin 2013 – nuk ishte thirrur asnjëherë për t’u paraqitur në burg për të nisur dënimin e saj – dhe ka qenë në burgun Evin që atëherë.
Ghadamian u arrestua për herë të parë në vitin 2011, pasi agjentë të Ministrisë së Inteligjencës sulmuan në masë shtëpitë e 39 anëtarëve të stafit e profesorëve të BIHE, sulm gjatë të cilit ata i konfiskuan kompjuterin, libra shkencorë e fetarë dhe disa sende të tjera personale, para se ta çonin në një vend të panjohur për ta marrë në pyetje. E liruan pas pak ditësh.
Më pas, më 12 mars 2013, Ghadamian dhe nëntë mësues të tjerë Baha’i u thirrën në Gjykatën Revolucionare të Burgut Evin dhe iu tha që duhej ose të firmosnin një zotim që nuk do të punonin më për BIHE apo t’u jepnin mësim studentëve Baha’i, ose të dërgoheshin në burg.
Vlen të përmendet se Regjimi Iranian përpiqet vazhdimisht t’ua mohojë arsimimin studentëve të minoritetit fetar Baha’i; shpesh duke mos i lejuar të shkojnë në universitet, pavarësisht arritjeve të tyre akademike.
Ghadamian dhe gjashtë të tjerë refuzuan ta firmosnin zotimin, kështu që u arrestuan menjëherë dhe u urdhëruan të paguanin 50 milion toman për lirim me kusht, duke i lënë pezull gjyqet e tyre.
Në vitin 2013, Gjykata Revolucionare e gjykoi dhe e dënoi Ghadamian me pesë vjet burg me akuzën se kishte “vepruar kundër sigurisë kombëtare përmes anëtarësimit në sektin devijant Baha’i” dhe se kishte punuar për “të paligjshmin” BIHE.