Thursday, March 28, 2024

SHBA, Britania, Arabia Saudite, dhe Emiratet të Shqetësuara Lidhur me Veprimtaritë Malinje të Regjimit Iranian

Amir Taghati

SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Arabia Saudite, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shprehur shqetësim lidhur me rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rreziqet që vijnë nga veprimtaritë destabilizuese të regjimit iranian, sidomos mbështetja që ai i jep Houthi-ve në Jemen dhe sulmet mbi cisternat e naftës në portin e Fujairah dhe në Gjirin e Omanit.

Në një deklaratë, këto katër vende thanë se kjo gjë kërcënon rrugët ujore ndërkombëtare, ku anijet dhe ekuipazhet e tyre duhet të lejohen të kalojnë të sigurta.

Deklarata lexon: “I bëjmë thirrje Iranit që të mos ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm që kërcënon stabilitetin rajonal dhe bëjmë thirrje për zgjidhje diplomatike për t’i zbutur tensionet. Vëmë në dukje me shqetësim përshkallëzimin e kohëve të fundit për sa i përket sulmeve të Houthi-ve ndaj Arabisë Saudite duke përdorur raketa dhe Mjete Ajrore pa Pilot të ndërtuara nga Irani. Në veçanti, dënojmë sulmin e Houthi-ve mbi aeroportin civil Abha më 12 qershor, i cili plagosi 26 civilë. Shprehim mbështetje të plotë për Arabinë Saudite dhe bëjmë thirrje që sulme të tilla nga Houthi-t e mbështetur nga Irani të marrin fund menjëherë.”

Ekziston edhe shqetësimi se Houthi-t e mbështetur nga Irani po ndërhyjnë në dërgimin e ndihmave në Jemen, gjë që e ka detyruar Programin Botëror të Ushqimit ta pezullojë dërgimin e ushqimeve.

Deklarata lexon: “I bëjmë thirrje Houthi-ve që t’u japin fund menjëherë gjithë kufizimeve ndaj agjensive të ndihmave për të siguruar dërgimin e ndihmave shpëtimtare tek ata banorë të Jemenit që kanë më tepër nevojë. Ne përsërisim përkushtimin tonë ndaj procesit të paqes në Jemen dhe Rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurisë, duke përfshirë UNSCR 2216. Shprehim mbështetjen tonë të plotë për të Dërguarin Special të OKB-së, Martin Griffiths. Në këtë aspekt, u bëjmë thirrje palëve të Jemenit që të punojnë në mënyrë konstruktive me të Dërguarin Special në mënyrë që të përshpejtohet implementimi i marrëveshjeve të lidhura në Stokholm. U bëjmë thirrje Houthi-ve që ta lehtësojnë plotësisht dhe pa asnjë pengesë aksesin për UNMHA, UNDP dhe UNVIM.”

Katër vendet thanë se palët e Jemenit duhet “të marrin pjesë në mënyrë konstruktive” në Komitetin e përbashkët për Koordinimin e Zhvendosjes për të përshpejtuar implementimin e Marrëveshjes së Hodeidah dhe të merren në mënyrë konstruktive me çështjet e sigurisë lokale, ndërsa Houthi-t duhet të tërhiqen nga portet e Hodeidah, Ras Issa dhe Saleef.

Katër vendet thanë se implementimi i Marrëveshjes së Stokholmit do të sillte mundësinë për fillimin e një procesi gjithëpërfshirës politik për krijimin e një mërrëveshjeje të qëndrueshme politike dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Jemen.

Ndërkohë, Ministri saudit i Shtetit për Punët e Jashtme Adel al-Jubeir tha: “Besoj që duhet të bëhet çdo gjë e mundur për të rritur presionin mbi Iranin që ai t’i ndryshojë politikat e tij. Mendoj se [SHBA po] kërkon sanksione që përfshijnë ndoshta sektorin e gazit dhe, do t’ia lë këtë ekspertëve financiarë dhe ekonomikë, por ideja është që të rritet presioni mbi Iranin në mënyrë që ai ta dijë se duhet të paguajë një çmim të lartë dhe se politikat e tij nuk janë të pranueshme e duhet të ndryshojnë.”