Shoferët e Autobusëve në Teheran Protestojnë Kundër Taksave të Reja të Trafikut

392

Nga Shamsi Saadati

Të dielën më 23 qershor, një grup shoferësh të autobusëve e minibusëve u grumbulluan përpara këshillit të qytetit të Teheranit për të protestuar kundër taksave të kontrollit të trafikut. Rregullat e reja kërkojnë që shoferët e autorbusëve të paguajnë një taksë kur hyjnë në zonën e kontrollit të trafikut në Teheran.

Duke e kundërshtuar këtë ligj të ri, shoferët protestues thërrisnin: “Taksat nuk duhet të vihen mbi transportin publik.”

Duke vënë në dukje rritjen e trefishtë në çmimin e pjesëve të këmbimit, protestuesit e përshkruan këtë taksë të re si një barrë më shumë mbi kurrizin e shoferëve të autobusëve të cilët punojnë për bukën e gojës.

Gjatë dy viteve të fundit, shoferët iranianë të autobusëve e kamionëve kanë protestuar gjithashtu kundër rritjes së kostos së pjesëve të këmbimit, subvencioneve të sigurimit, komisioneve të larta dhe shpenzimeve të tjera. Në 2018-ën, shoferët e kamionëve në dhjetëra qytete mbajtën greva të gjata për shkak të mungesës së përgjigjeve nga ana e regjimit ndaj kërkesave të tyre.

Shoferët janë një prej segmenteve të shumta të shoqërisë iraniane që po protestojnë kundër regjimit lidhur me keqmenaxhimin e ekonomisë së vendit, gjë që po ndikon direkt tek jetesa e tyre. Muajt e fundit janë zhvilluar protesta të ngjashme edhe nga mësuesit, studentët, punëtorët, dhe punonjësit pensionistë të sektorit publik.