Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, ka paralajmëruar kundër përfundimit të embargos së armëve mbi regjimin iranian, duke e krahasuar çdo ditë deri në skadimin e marrëveshjes në tetor 2020 si një “#Numërim Mbrapsht Drejt Terrorit.”
Nxitja për ta shtyrë ndalimin e shitjes së armëve Teheranit vjen në një kohë kur Uashingtoni po i rrit përpjekjet për t’i kufizuar eksportet e naftës së regjimit iranian, raporton CNN. Që nga vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump në 2018-ën për ta braktisur paktin bërthamor me Iranin, Uashingtoni është përpjekur të përdorë atë që e quan “presion maksimal” për ta ndryshuar sjelljen e regjimit dhe për t’i kufizuar ambiciet e tij bërthamore.
“Është koha që ta vazhdojmë këtë veprimtari të kufizimit të kapacitetit të Iranit për ta zgjeruar regjimin e tij të terrorit. Komuniteti ndërkombëtar do të ketë kohë të mjaftueshme për të parë se sa ka mbetur deri kur Iranit t’i hiqen prangat për të krijuar trazira të reja, dhe për të zbuluar se çfarë duhet të bëjë për ta ndaluar këtë,” tha Sekretari Pompeo të martën, gjatë një fjalimi përpara Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu të martën, Departamenti i Shtetit nxori atë që Sekretari Pompeo e ka quajtur si “# orë e Numërimit Mbrapsht Drejt Terrorit”, e cila llogarit kohën deri në skadimin embargos së armëve dhe ndalimit të udhëtimit ndaj Qassem Soleimani-t vitin e ardhshëm. Soleimani komandon Forcën Quds të regjimit iranian, e cila është përgjegjëse për veprimtaritë jashtë vendit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. Departamenti amerikan i Shtetit e ka etiketuar IRGC-në si organizatë të huaj terroriste në prill 2019.
Embargoja e armëve mbulon të gjitha shitjet regjimit iranian të armëve dhe “materialeve të tjera të kësaj fushe”. Kjo embargo është vendosur nga OKB dhe do të hiqet pesë vite pas nënshkrimit të paktit bërthamor.
Duke folur për reporterët të martën, Sekretari Pompeo e paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar që të mos i ndihmojë anijet të cilat besohet se mbartin naftë krudo të paligjshme nga Irani në shkelje të sanksioneve amerikane.