Një anije e re cisternë e mbushur me naftë iraniane është drejtuar për në Siri në shkelje të sanksioneve aktuale amerikane, kanë thënë për Fox News burime perëndimore të inteligjencës.
Anija Bonita Queen u ngarkua me 600,000 fuçi nafte krudo më 2 gusht pranë bregdetit iranian në Ishullin Kharg.
Pak më vonë, anijes iu hoq flamuri nga shteti St. Kitts dhe Nevis, nga frika e sanksioneve amerikane.
Tani, anija është drejtuar për në Dubai, ku do të furnizohet me karburant para se të nisë udhëtimin disa-mujor përreth Bririt të Afrikës, përmes Mesdheut dhe drejt brigjeve të Sirisë, raporton Fox Neës të martën.
Disa burime kanë thënë për Fox News se anija ka në plan të takohet me dy cisterna nafte në pronësi të Sirisë në detin Mesdhe më vonë këtë vit dhe të kryejë një transferim të naftës krudo nga anija në anije.
Ky transferim do të përbënte një shkelje të mëtejshme të sanksioneve amerikane meqë Departamenti i Thesarit të SHBA-së i ka sanksionuar këto dy cisterna siriane në mars të këtij viti. Dy cisternat, me emër Kader dhe Jasmine, janë planifikuar për t’u takuar me Bonita Queen për të ndihmuar në transferimin e naftës.
Të hënën, Departamenti amerikan i Shtetit e paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar që të mos i ndihmojë iranianët në kontrabandimin e naftës pasi cisterna Adrian Darya-1, e njohur më parë si Grace-1, u kap dhe më pas u lirua nga autoritetet britanike.