Sanksionet europiane mbi Regjimin e Iranit

760

 Vitin e shkuar u bë e qartë se Irani qëndronte prapa dy sulmeve të parandaluara në Europë. I pari ishte një tentativë për të bombarduar tubimin e përvitshëm Liri për Iranin në Paris, i cili organizohet nga grupi kryesor opozitar i Iranit. Sulmi i dytë i parandaluar ishte një tentativë vrasjeje kundër disidentëve iraniano-arabë në Danimarkë.

Bashkimi Europian shpalli më herët këtë javë se kishte vënë disa sanksione mbi Iranin. Kjo gjë është një hap përpara, megjithëse sanksionet janë të dobëta dhe nuk shërbejnë si shkurajues për regjimin iranian. Nisur nga komplotet terroriste që do të kishin qenë katastrofike sikur të mos ishin parandaluar, arsyeja të thotë se do të duhej të ishin vënë sanksione shumë më të ashpra.

Një numër i madh zyrtarësh, anëtarësh të Kongresit, të Parlamentit, personalitete, figura fetare dhe aktivistë të të drejtave të njeriut ishin të pranishëm në tubimin Liri për Iranin në Paris. Mund të kishte patur një numër të madh viktimash. Dhe vrasjet politike … Sigurisht që këto tentativa duhet të trajtohen me aq seriozitet sa të vihen sanksione të tilla që të krijojnë një impakt të vërtetë.

Fatkeqësisht europianët po ndjekin gjurmët e administratës Obama e cila kishte një politikë paqësimi ndaj Iranit. Nuk ka kuptim ta trajtosh Iranin shumë butësisht në krahasim me aktet e tij të ashpra e agresive të armiqësisë e dhunës.

Një reagim agresiv ndaj tentativave të tilla do t’i tregonte Iranit se me BE-në nuk ngatërrohesh kollaj. Megjithatë, në rrethanat e tanishme, regjimi iranian mendon se ia vlen të rrezikojë për të organizuar sulme të tjera pasi është e qartë se BE nuk do të marrë masa decizive. Edhe një herë, kjo është si administrata Obama e cila bëri shumë pak për t’iu kundërvënë agresionit të Iranit. Nuk është e habitshme që periudha kur Obama ishte në pushtet mori emrin “vitet e arta” për regjimin iranian.

BE mund të kishte hequr qafe shumë anëtarë të inteligjencës iraniane nga stacionet e ambasadave në mbarë kontinentin. Do ta kishte bërë gjithashtu të qartë për Iranin se çdo sulm i tillë do të rezultonte në rivlerësimin e mbështetjes së Bashkimit Europian për Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA). BE mund të kishte sanksionuar lehtësuesit bankarë të Iranit, të cilët ndodhen në Europë. Mund të kishte sanksionuar një numër kompanish frontale iraniane.

Bashkimi Europian po përpiqet pa dyshim t’i shmanget përkeqësimit të tensioneve mes Europës dhe Iranit. Por paqësimi nuk është zgjidhje. Jo me regjimin iranian.

Duhet t’i përçohet një mesazh më i ashpër regjimit iranian. Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur kohët e fundit sanksionet paralizuese ekonomike që u hoqën kur u bë marrëveshja bërthamore e 2015-ës me Iranin. Presidenti aktual amerikan, Donald Trump, e ka bërë shumë të qartë se nuk do ta pranojë agresionin e Iranit dhe administrata e tij nuk e ka eliminuar mundësinë e vënies së sanksioneve të mëtejshme.

Dhe vërtet, ç’kuptim ka të tregohesh i heshtur apo i butë me regjimin iranian kur ai ka një sjellje kaq luftarake? Sanksionet e ashpra që Trump ka rivendosur nuk do ta bëjnë regjimin të moderojë sjelljen e tij, por të paktën por ia ndërpresin disa nga burimet.