Nga Shahriar Kia
Një zyrtar iranian ka thënë se Regjimi i mohon “realitetet e ashpra” që po shkatërrojnë jetët e iranianëve, sipas agjensisë shtetërore të lajmeve ILNA.
Zyrtari, të cilit nuk iu dha emri, po i referohej fjalëve se Regjimi ka në plan t’i ulë edhe më shumë pagat e punëtorëve, gjë që, sipas tij, do të ishte vdekja e klasës punëtore në Iran.
Ai vuri në dukje se gratë iraniane punojnë 10 orë në ditë nëpër dyqane në mbarë vendin për të fituar rreth $45 pa sigurim.
Ai tha: “Qeveria ka ndërmarrë një politikë mohimi në lidhje me faktin që jetët e punëtorëve po shkatërrohen. [Ata nuk duan t’i pranojnë] realitetet e ashpra që kanë krijuar për këta punëtorë.”
Ndërsa Faramarz Tofighi, një tjetër zyrtar i regjimit iranian, shpjegoi se punëtorët në Iran po bëhen gjithnjë e më të varfër, dhe 80% e tyre jetojnë tashmë nën pragun absolut të varfërisë. Kjo do të thotë se ata nuk janë në gjendje të përballojnë nevojat bazë, si ushqimi; gjë që përkeqësohet teksa çmimet vazhdojnë të rriten.
Pothuajse 90% e të punësuarve konsiderohen si të varfër; ata që e kanë më keq janë punëtorët me mëditje dhe ata që punojnë me kohë të pjesshme. Në fakt, rreth 13 milion familje punëtore jetojnë nën pragun e varfërisë, prag i cili përcaktohet tani në shifrën e pabesueshme prej 50 milion rial në muaj në qytetet e mëdha të vendit.
Punëtorët iranianë janë me të drejtë të tronditur nga kjo situatë dhe mospajtimi i tyre legjitim është tashmë pjesë e protestave anti-regjim që shpërthyen në Iran në fund të 2017-ës dhe që ka qenë e pamundur të shtypen. Ata po e ngrenë fort zërin kundër politikave të ndërmarra nga Presidenti iranian Hassan Rouhani dhe nga Regjimi në tërësi.
Protestat dhe grevat nga punëtorët e fabrikave, mësuesit, shoferët e kamionëve, dyqanxhinjtë e shumë profesione të tjera i kanë sjellë në fokus të veçantë nevojat e popullit iranian. Këto protesta, të cilat rriten dita ditës dhe shkaktojnë shqetësim të madh për mullahët, e pohojnë me të drejtë faktin që problemet ekonomike me të cilat ata përballen janë shkaktuar nga Regjimi. Kjo gjë bëhet e qartë në thirrjet e tyre: “Armiku ynë është këtu, gënjejnë kur thonë se është Amerika.”
Regjimi është përpjekur me plot fuqinë e tij për t’i shtypur këto protesta, që nga marrja e masave të rrepta shtypëse ndaj tubimeve, tek mobilizimi masiv i forcave të sigurisë, nga arrestimi i mijërave tek vrasja e dhjetëra njerëzve. Por gjithëçka që ka bërë Regjimi ka dështuar dhe punëtorët nuk tunden.
Populli i Iranit do liri dhe e di se nuk do ta ketë kurrë atë nën sundimin e mullahëve, kështu që do të vazhdojë të protestojë derisa Regjimi të bjerë.