Monday, September 9, 2024

Sanksionet Amerikane mbi Iranin po Japin Rezultate

 

Vitin e shkuar, Presidenti amerikan Donald Trump shpalli se Shtetet e Bashkuara do të dilnin nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), apo siç njihet ndryshe, pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin.

Për ta justifikuar këtë vendim, ai shpjegoi se sjellja luftarake e regjimit iranian nuk mund të shpërfillet. Ai ka vazhduar të përhapë kaos në rajon, duke u ofruar mbështetje të gjerë dhe fonde grupeve proksi dhe militantëve dhe duke organizuar veprimtari terroriste.

Presidenti Trump foli gjithashtu për abuzimet e brendshme të regjimit iranian, kryesisht për mohimin e të drejtave njerëzore dhe programin e raketave balistike. Departamenti amerikan i Shtetit shpalli se priste që të gjitha vendet ta ndalnin importimin e naftës iraniane. Shumica e vendeve u e bënë këtë gjë brenda afatit të caktuar, ndërsa importuesve më të mëdhenj iu dha një kohë më e gjatë – edhe pse me kushte të rrepta.

Qëllimi i kufizimeve lidhur me naftën është ta shkëpusë regjimin iranian nga fondet që ai përdor për të mbështetur grupe malinje. Dhe me sa duket, kjo strategji po funksionon sipas planit.

Grupi libanez Hezbollah është mbështetur nga regjimi iranian për vite të tëra. Irani i ka dhënë gjithmonë një buxhet të stërmadh për të operuar, por tani duket se ky grup terrorist po përballet me vështirësi.

Hezbollah merrte rreth $700 milion në vit nga Irani por kjo shumë është ulur në mënyrë të konsiderueshme për shkak të sanksioneve amerikane. Gjatë muajve të fundit, luftëtarët e Hezbollah kanë pësuar një zvogëlim drastik të rrogave të tyre. Llogaritet se këta luftëtarë merrnin më përpara $800 deri në $1,200 në muaj. Luftëtarët rezervë tani marrin rreth $400 në muaj – gjysmën e shumës së mëparshme.

Regjimi iranian financonte institucione shoqërore si objektet mjekësore e të argëtimit, si dhe shkollat në Liban, institucione që ishin specifikisht për anëtarët e Hezbollah dhe familjet e tyre, por shumë prej tyre janë mbyllur tashmë pasi nuk marrin më fonde. Anëtarëve të Hezbollah u është kërkuar gjithashtu të largoheshin nga banesat e financuara nga Irani, përsëri për shkak të mos-pagesave.

Familjet  e luftëtarëve të Hezbollah kanë patur gjithashtu reduktim të benefiteve të tyre. Për më tepër, luftëtarët e Hezbollah që kanë shërbyer për më shumë se 25 vjet kanë patur të drejtën e një pensioni prej $600 në muaj. Tani nuk marrin asgjë. Për të parandaluar ndonjë rebelim, u është thënë të kryejnë detyra administrative për të marrë shumën mujore.

Operacionet e Hezbollah kanë nisur të kenë pengesa të mëdha dhe grupi i është drejtuar popullit të Libanit për të kërkuar fonde. Kjo përpjekje po sjell aktualisht më pak se $1,500 në ditë, por donacionet nga sektori i biznesit janë shumë më të mëdha.

Kjo vërteton se sanksionet amerikane po e bëjnë punën e tyre. I gjithë qëllimi ishte të ulej aftësia e regjimit iranian për të kryer veprimtari malinje, duke përfshirë ato që bëhen përmes grupeve proksi dhe militantëve.

Mbretëria e Bashkuar së fundmi e ka etiketuar të gjithë grupin Hezbollah si një organizatë terroriste dhe ekziston shpresa se shumë vende të tjera do të vazhdojnë të marrin në shënjestër grupe të mbështetura nga Irani në të njëjtën mënyrë, sidomos vetë IRGC-në dhe ministrinë e inteligjencës të Iranit.