Pak kohë pasi përmbytjet filluan ta bllokonin Shirazin, Regjimi Iranian dërgoi atje automjetet e armatosura të ushtrisë, si BMP-1 të prodhuar në Rusi, dhe forcat me motoçikleta.
Por këto nuk u dërguan për të përshkuar rrugët e pakalueshme dhe për të shpëtuar njerëzit e bllokuar mbi çatitë e shtëpive apo për t’ua çuar ndihmat me shpejtësi viktimave, siç do të ndodhte në shumicën e botës. Në vend të këtyre ndërhyrjeve, forcat u dërguan për të shtypur protestat legjitime të një populli, gjendja e dëshpërruar e të cilit shpërfillet nga ata që sundojnë mbi të.
Kështu, populli iranian u detyrua, edhe një herë, të shpëtonte veten duke përdorur barkat e peshkimit për të shpëtuar familjet, fqinjët, dhe bizneset.
Po, Irani ka shumë barka të shpejta e të fuqishme që mund të ishin përdorur për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit, për të evakuar njerëzit nga zonat e përmbytura, apo për të shpërndarë ushqim e ilaçe – gjëra që në fakt do t’i kishin shuar protestat. Por këto barka nuk ishin të disponueshme pasi po përdoreshin për ushtrime në det apo për të sulmuar anijet amerikane të mallrave në Gjirin Persik; gjëra që Regjimi i konsideron më të rëndësishme sesa shpëtimin e jetës së popullit të tij.
Ushtria iraniane ka qindra mijëra thasë me rërë që mund të përdoren për të ndalur ujërat e përmbytjeve, por nuk i ka përdorur. Gjithashtu, ushtria së bashku me Trupat e Gardës Revolucionare, kanë ndihmës-mjekë e spitale terreni, por asnjë prej tyre nuk janë dërguar për të ndihmuar të plagosurit. Ata kanë gjithashtu njësi të shumta inxhinerike, që janë të afta për të ndërtuar rrugë e ura mbi ujë brenda një kohe të shkurtër, por nuk i kanë dërguar ato.
Populli iranian ka të drejtë ta dijë arsyen pse, përveç pak videove publiciteti të inskenuara me kujdes, Regjimi dhe forcat e tij shtypëse nuk i kanë ndihmuar viktimat. E vërteta është se Garda Revolucionare dhe Regjimi në tërësi nuk po i ndihmojnë njerëzit e prekur nga një fatkeqësi natyrore që e kanë rënduar vetë mullahët përmes keqmenaxhimit e korrupsionit për vite të tëra, lidhur me mjedisin dhe gatishmërinë për raste emergjencash, sepse ata thjesht nuk duan t’ia dinë për popullin iranian.
Garda Revolucionare, që mban përgjegjësi vetëm përpara Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, ka vetëm një mision: represionin e brendshëm dhe eksportimin e terrorizmit dhe kaosit. Për këtë arsye populli duhet të ngrihet dhe ta rrëzojë këtë regjim.
Rezistenca Iraniane shkruan: “Nuk është e habitshme që regjimi është i brishtë e dridhet përballë xhindosjes shpërthyese të shoqërisë. Udhëheqësi suprem i regjimit Ali Khamenei dhe presidenti Hassan Rouhani e dinë më mirë se kushdo se shoqëria është në prag të një revolte tjetër.”