Regjimi Iranian Kërkon Dëshpërimisht Marrëdhënie me Korenë e Veriut

460

Nga Shahriar Kia

Ministri i Jashtëm i regjimit iranian Mohammad Javad Zarif shpalli të dielën se do të udhëtonte “së shpejti” për në Korenë e Veriut.

Ai nuk dha ndonjë detaj më shumë, por koha e shpalljes ishte strategjike, nisur nga vendimi i SHBA-së ditët e fundit për t’u dhënë fund lehtësimeve të sanksioneve mbi naftën iraniane, gjë që ka qenë me kohë një litar shpëtimi për Regjimin.

Korea e Veriut, e cila po përpiqet t’i anashkalojë sanksionet e veta, ka një limit mbi sasinë e naftës që mund të importojë nga vendet e tjera dhe regjimi iranian po kërkon tani t’i rrisë eksportet e veta të naftës duke u shitur vendeve me “ekspozim jashtëzakonisht të kufizuar ndaj detyrimit për të zbatuar sanksionet amerikane,” sipas Elizabeth Rosenberg, ish-këshilltare e lartë në Departamentin amerikan të Thesarit.

Ajo shkruan, në një artikull për Foreign Policy Magazine: “Rregullatorët në vendet e zemëruara nga politika e SHBA-së mund t’i mbyllin sytë ndaj veprimtarive të shkëmbimit e të kontrabandës. Meqë një sasi nafte iraniane vazhdon ta gjejë rrugën për të dalë në treg, vrojtuesit mund të arrijnë në përfundimin se sanksionet amerikane nuk qenkan aq të forta në fund të fundit, gjë që mund ta rrisë shumë shtysën për të kaluar kufijtë apo për t’i shkelur ato.”

Thënë shkurt, meqë politika e “presionit maksimal” të Donald Trump nuk ka arritur ta unifikojë komunitetin ndërkombëtar për sa i përket Koresë së Veriut dhe Iranit, këto dy shtete të jashtëligjshme mund të bashkëpunojnë për t’iu kundërvënë SHBA-së.

Një mësim historie

Sigurisht, marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe regjimit iranian janë formuar gjithmonë nga nevoja.

Në vitet 1980, pak kohë pasi ishte themeluar Regjimi Iranian, Korea e Veriut dhe Irani nisën të punonin së bashku, gjë që e bëri Korenë e Veriut t’i shiste armë Iranit gjatë Luftës tetë-vjeçare Iran-Irak.

Këto marrëdhënie vetëm sa u zgjeruan gjatë viteve 1990, kur Korea e Veriut kishte nevojë për një furnizim të madh gazi të subvencionuar, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, dhe iu drejtua regjimit iranian që ishte një nga të paktat vende të pasura me naftë me të cilin mbante lidhje diplomatike, për të plotësuar nevojat e veta energjitike.

Lehtësimet e sanksioneve

Lehtësimet e bëra për tetë blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane nëntorin e shkuar, kishin një afat vetëm gjashtë-mujor, kështu që SHBA thjesht po i lë të skadojnë. Kjo do të thotë që Kina, Japonia, Korea e Jugut, Turqia, Taivani, India, Greqia, dhe Italia nuk lejohen më tani të blejnë naftë iraniane pa penalitete nga SHBA.

A do të funksionojë partneriteti midis regjimit iranian dhe Koresë së Veriut?

Të gjitha shenjat tregojnë që jo. Ndërkohë që është natyrisht kërcënim për sigurinë globale që këto dy vende të bashkëpunojnë kaq ngusht, është e rëndësishme të mos harrojmë që Korea e Veriut nuk i ka paratë për të blerë sasi të mëdha nafte iraniane. Kjo do të thotë se Irani nuk do të fitojë shumë para me të cilat të kryejë akte terroriste.