Që nga fillimi i paktit bërthamor të 2015-ës, hacker-at e regjimit iranian kanë goditur qindra kompani e grupe në mbarë botën, por, pas një serie sulmesh të profilit të lartë, duket se u janë vënë prapa shënjestrave politike, diplomatike dhe ushtarake në SHBA, Australi, dhe në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e një fushate afat-gjatë sulmesh kibernetike të sponsorizuar nga shteti .
Firma e sigurisë kibernetike Rensecurity, me bazë në Los Angeles, tha se hacker-at e regjimit iranian janë përgjegjës për sulmin e 2017-ës në Parlamentin Britanik dhe për hack-imin e shkurtit 2019 në Parlamentin Australian, duke vënë në dukje se sa të ngjashme ishin metodat, përqasjet dhe taktikat.
Të dy sulmet kanë përdorur një metodë “force brutale”, që në bazë ka marrjen me mend të fjalëkalimeve të llogarive për të aksesuar informacionin sensitiv që ndodhej brenda. Këtu përfshiheshin informacione personale kontakti të anëtarëve të lartë të qeverisë. Në 2017-ës, hacker-at shënjestruan 10,000 llogari të ndryshme parlamentare me një përqindje suksesi prej 1%, që do të thotë se kanë marrë detajet e 90 deputetëve.
Dhe këto nuk janë të vetmet sulme kibernetike të drejtuara nga Irani brenda kohëve të fundit. Ka patur gjithashtu një fushatë mashtrimesh kundër infrastrukturës publike britanike (d.mth. bankat, posta, rrjetet parlamentare dhe qeveria vendore), gjë që bëri që hacker-at të merrnin adresën e email-it dhe numrin e celularit të Kryetares së Zyrës Postare, Paula Vennells.
Por cili është qëllimi i gjithë kësaj?
Epo, shumë njerëz besojnë se hacker-at iranianë po kërkojnë “inteligjencë strategjike” për të zbuluar se si janë të lidhura figurat në qeveritë perëndimore dhe për të marrë informata të brendshme mbi to, me qëllimin e mundshëm për t’u bërë presion atyre që të qëndrojnë në paktin bërthamor të 2015-ës, pasi SHBA u tërhoq vitin e shkuar, apo të mbështesin masa të tjera të favorshme për Regjimin.
Një teori tjetër është se regjimi iranian mund të jetë duke u përpjekur të influencojë zgjedhjet politike apo të sabotojë sistemet politike dhe ekonomike. Ata mund t’i dërgojnë publikut mesazhe të rreme nga këta zyrtarë, organizata mediatike, apo liderë të tjerë botërorë, mesazhe ku promovohet Irani.
Kjo gjë nënkupton se Irani nuk do të ndalet tani dhe vende të tjera mund të përballen me sulmet e tij së shpejti. Kjo do të thotë se agjensitë e sigurisë kibernetike në Perëndim do të duhet t’i shtojnë përpjekjet e tyre kundër hacker-ave të regjimit iranian.