Presidenti Amerikan: Oferta Globale e Naftës Mjafton për t’u Mbijetuar Sanksioneve mbi Iranin

741

Nga Shahriar Kia

Donald Trump tha të mërkurën se ka mjaftueshëm ofertë globale të naftës për t’i lejuar të gjitha vendet që t’i pakësojnë në mënyrë të konsiderueshme importet e naftës krudo iraniane pasi të hyjnë në fuqi sanksionet më 5 nëntor.

Ai tha: “Ka ofertë të mjaftueshme nafte dhe produktesh të naftës nga vende të tjera përveç Iranit, për të lejuar një pakësim të konsiderueshëm në volumin e naftës dhe të produkteve të naftës të blera nga Irani përmes institucioneve të huaja financiare.”

Këto sanksione janë rezultat i tërheqjes së Donald Trump nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) i vitit 2015, njohur ndryshe si pakti bërthamor i Iranit, në maj dhe premtimit të tij për t’ia hequr Iranit lehtësirat për sa i përket sanksioneve.

Lëshimet

Disa vende, si India, po luftojnë për lëshime në lidhje me sanksionet, duke pretenduar se nuk mund ta përballojnë humbjen e plotë të aksesit në naftën iraniane, ndërsa Korea e Jugut ka kërkuar “fleksibilitet maksimal” dhe vende të tjera, si Kina, kanë refuzuar të veprojnë në përputhje me sanksionet.

Megjithatë, Thesari i SHBA-së e ka bërë të qartë tashmë se lëshimet do t’i bëhen vetëm vendeve që i pakësojnë importet e naftës iraniane me mbi 20% dhe vendimi do të merret për secilin rast më vete.

India i ka pakësuar importet e naftës iraniane me 16% nën raundin e fundit të sanksioneve, kështu që nuk ka ndonjë arsye pse të mos arrijë në 20% këtë herë. Në fakt, blerjet e naftës iraniane nga ky vend kanë rënë gjatë periudhës së korrkut dhe gushtit, pra thjesht i duhet një shtytje më e madhe.

Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, John Bolton, tha të mërkurën se sanksionet nuk janë projektuar për të dëmtuar aleatët e SHBA-së, por vetëm për t’u bërë presion mullahëve të Iranit. Ai shpjegoi se administrata e di që disa vende, sidomos ato që janë gjeografikisht afër me Iranin, mund ta kenë të vështirë t’i çojnë blerjet në zero menjëherë, por kjo nuk do të thotë se SHBA duhet ta ketë atë si qëllim.

Ai tha: Duam të arrijmë presionin maksimal por nuk duam as t’i dëmtojmë miqtë dhe aleatët tanë.”

Qëllimi

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka thënë se Irani është shteti kryesor që sponsorizon terrorizmin në botë dhe këto sanksione janë projektuar për të ndryshuar sjelljen e ligë të Regjimit.
Ndërsa Zëvendës Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Robert Paladino, tha: “Këto gurpe [terroriste të mbështetura nga Irani] nxisin paqëndrueshmërinë globale, ata i përdorin këto fonde për të mbështetur programet bërthamore e të raketave balistike, dhe këto fonde përdoren për të mbushur xhepat e liderëve të korruptuar iranianë e jo për të ndihmuar popullin e Iranit, i cili është viktima që ka vuajtur më gjatë.”