Nga Shahriar Kia
Fushata e “presionit maksimal” e Presidentit amerikan ndaj Regjimit Iranian duket e efektshme pasi edhe vetë Presidenti iranian Hassan Rouhani e ka pranuar që vendi po përballet me një presion “të paprecedent” nga sanksionet amerikane dhe ka kërcënuar se do t’i rikthehet racionimit që është implementuar për herë të fundit gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980-88.
Të dielën, Rouhani tha: “Presionet [aktuale] nga armiqtë janë një luftë pa precedent në historinë e revolucionit tonë.”
Këto komente erdhën pasi rritjes së madhe të tensioneve me SHBA-në për shkak të dërgimit të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln dhe grupit të saj të sulmit në Lindjen e Mesme në vijim të “treguesve dhe paralajmërimeve shqetësuese e përshkallëzuese” për komplote të regjimit iranian.
Lincoln, kruzeri USS Leyte Gulf, dhe tre anije shkatërruese – USS Bainbridge, USS Mason dhe USS Nitze – arritën të enjten. Gjithashtu ditët e fundit janë ulur në Katar e gjetkë në “Azinë jug-perëndimore” aviona B-52 nga Skuadroni i 20-të Bombardues. Ndërsa të premten, Pentagoni shpalli se do të dërgonte gjithashtu një bateri raketash Patriot dhe USS Arlington për t’iu bashkuar Lincoln-it.
SHBA nuk e ka specifikuar se cili ka qenë kërcënimi, por këshilltari i sigurisë kombëtare John Bolton ka paralajmëruar se çdo sulm nga regjimi iranian ndaj interesave apo aleatëve amerikanë do të përballej me “forcë të paepur.”
Ky përshkallëzim ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje rreth së ardhmes së paktit bërthamor të 2015-ës të firmosur nga gjashtë fuqi botërore dhe Irani. SHBA u tërhoq nga ky pakt në maj të vitit të shkuar, por Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina janë ende palë në këtë marrëveshje, ashtu si edhe regjimi iranian.
Megjithatë, regjimi iranian shpalli javën e shkuar se kishte pezulluar dy zotime të bëra nën këtë pakt dhe kërcënoi se do ta rriste pasurimin e uraniumit brenda 60 ditësh nëse pesë vendet e mbetura nuk do ta mbrojnë Regjimin nga sanksionet amerikane. Vendet europiane thanë se mbeten të përkushtuara ndaj paktit bërthamor, por i refuzuan “ultimatumet” e regjimit iranian.
Është e qartë nga të gjitha veprimet e regjimit kohët e fundit se sanksionet amerikane janë duke dhënë efektin e dëshiruar dhe i kanë dhënë një goditje të fortë ekonomisë së regjimit iranian duke e ulur vlerën e rialit në shifra rekord, duke larguar investitorët, dhe duke shtuar protestat.
Dhe SHBA e ka bërë gjithë këtë pa shkaktuar ndonjë rritje madhore në çmimet e naftës krudo, gjë që do ta kishte bërë këtë lëvizje politikisht të pajustifikueshme në SHBA, edhe pse do të kishte qenë moralisht e drejtë.
SHBA e ka bërë të qartë që në fillim se nuk dëshiron luftë me Iranin, por dëshiron t’i detyrojë mullahët ta ndryshojnë sjelljen; gjë që Trump e përsëriti javën e shkuar. Problemi është që Regjimi është i paaftë të ndryshojë; gjë që u vërtetua kur një klerik i lartë sugjeroi ta shkatërronin flotën amerikane që po shkonte drejt Gjirit Persik “me një raketë”.
Është e domosdoshme që pjesa tjetër e botës ta marrë seriozisht këtë kërcënim dhe ta ndihmojë SHBA-në që t’i rrisë presionin dhe sanksionet mbi regjimin iranian në mënyrë që të ndalohet kërcënimi që Regjimi paraqet për sigurinë globale.