Pohimet De Facto të Zyrtarëve të Regjimit Iranian: Programet e Al-Jazeera English dhe Channel 4 Kundër PMOI-së Janë Planifikuar nga Regjimi

457

 

Pas një fushate të ndryrë disa-javore kundër Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) nga agjentët e mercenarët e regjimit klerikal që operojnë nën maskën e reporterëve të britanikut Channel 4 dhe Al-Jazeera English, Ministri i Jashtëm i regjimit, Javad Zarif,

si dhe Ambasadori i regjimit në Mbretërinë e Bashkuar, Hamid Baeidinejad, pohuan se taktikat kërcënuese rreth vendbanimit të Muxhahedinëve të Popullit në Shqipëri (të zbardhura në deklaratat e Komitetit të Sigurisë së NCRI më 16 gusht dhe 2 shtator) dhe fushatat njollosëse të Channel 4 (6 shtator) dhe Al-Jazeera English (16 shtator) ishin “urdhëruar” nga regjimi i mullahëve.

Komentet e tyre japin prova të mëtejshme se gënjeshtrat e transmetuara në këto programe ishin një përsëritje hakmarrëse e pretendimeve të mullahëve kundër Rezistencës Iraniane dhe kishin për qëllim të largonin vëmendjen nga krimet kibernetike të regjimit dhe mbyllja e llogarive të tij mashtruese në mediat sociale. Në vitet 2002 dhe 2003, po ky regjim pretendoi përmes mercenarëve e gazetarëve të paguar prej tij se armët e shkatërrimit masiv të Irakut ishin të fshehura në zyrat qendrore të PMOI-së. Qëllimi i atëhershëm ishte të largohej vëmendja nga zbulimet e Rezistencës Iraniane për objektet bërthamore klandestine të regjimit.

Tani, në arenën kibernetike, agjensia shtetërore e lajmeve ISNA, më 16 shtator 2018, citoi Ambasadorin e regjimit në Londër, Baeidinejad, duke thënë: “Pak kohë pasi Dr. Zarif iu referua realitetit të hidhur të ekzistencës së një rrjeti të madh të prodhimit e replikimit të postimeve të rreme në Twitter, britaniku Channel 4 dhe Al-Jazeera transmetuan dokumentarë që zbulonin fytyrën e fshehur të këtij realiteti të hidhur.” Duke pretenduar se PMOI “prodhon miliona mesazhe në formën e ‘hashtags’ të cilat bëjnë thirrje për rrëzimin [e regjimit] duke përdorur teknologjitë më të avancuara të informacionit çdo ditë,” ai i bëri thirrje Twitter-it të “vepronte në përputhje me kërkesën zyrtare të Dr. Zarif për t’i mbyllur llogaritë mashtruese të cilat dërgojnë ‘hashtags’ që bëjnë thirrje për përmbysjen e Iranit”.

Një orë më herët, po atë ditë, në një postim ku i referohej programit të Al-Jazeera, Zarif bëri thirrje për mbylljen e llogarive të mbështetësve të Rezistencës Iraniane. Është qesharake që një përfaqësues i paturp i një regjimi i cili i privon 80 milion iranianë nga rrjetet sociale, të japë udhëzime për mbylljen e llogarive në internet të opozitës së tij – akt që tregon frikën e regjimit nga trazirat e shtuara popullore ndërkohë që sanksionet intensifikohen.

Më 21 gusht, Facebook dhe Twitter bllokuan qindra llogari online të propagandës së regjimit. Më 29 gusht, Reuters zbuloi se “operacionet iraniane të influencës politike” janë “të gjera, këmbëngulëse, globale” dhe se një “operacion i qartë i influencës iraniane që ka në shënjestër përdoruesit e internetit në mbarë botën, është shumë më i madh se ç’ishte identifikuar më përpara.”

Më pas, për ta mbuluar këtë skandal të madh, Zarif shpalli se “prezenca më e madhe në Twitter është nga ata që nuk kanë marrëdhënie të mira me ne dhe që është më e mundshme të nxiten nga jashtë, sidomos nga Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara.” Ministri i jashtëm i mullahëve shtoi: “Habitem se si këto kompani kanë mbyllur llogaritë e disa përdoruesve iranianë, ndërkohë që këto llogari të rreme e robotë, të cilët udhëhiqen krejtësisht në mënyrë të qartë, operojnë lirisht.” (uebsiti shtetëror Khabar Online – 31 gusht).

Më 6 shtator, Channel 4, i cili kishte filmuar fshehtazi rezidencën e PMOI-së dhe ua kishte dërguar fotot e videot agjentëve të inteligjencës së regjimit, transmetoi programin e diktuar dhe pretendoi se PMOI në Shqipëri merrej me propagandë online.
Dhjetë ditë më vonë, më 16 shtator, Al-Jazeera English, me ndihmën e agjentëve të njohur të regjimit si Trita Parsi, dhe ortakja e tij Azadeh Moaveni, si dhe mercenarë që ishin shfaqur edhe në Channel 4, pretendoi se që nga fundi i 2017-ës, PMOI ka ndryshuar pikëpamjet e organizatave të mëdha mediatike përmes ‘hashtags’ që bëjnë thirrje për ndryshim regjimi, duke shtuar se PMOI, ndonëse ka “miq të fuqishëm” jashtë vendit, nuk ka “asnjë mbështetje” brenda Iranit.

Më herët, Muxhahedinët, në letrat e datave 10 dhe 13 gusht drejtuar Channel 4 si dhe në një letër të datës 22 gusht 2018 drejtuar Al-Jazeera English, kishte ekspozuar skenaret e ndyra që i ishin diktuar rrjetit të reporterëve aleatë të mullahëve, me detaje e dokumenta si dhe me emrat e mercenarëve të përdorur në këto programe. Për më tepër, ish-Ministri i Inteligjencës Ali Fallahian kishte pranuar në një intervistë televizive më 9 korrik 2017: “Për të mbledhur informata, Ministria e Inteligjencës ka nevojë për mbulim, qoftë brenda apo jashtë vendit. Ne nuk dërgojmë zyrtarë inteligjence në Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara për të thënë ‘unë jam nga Ministria e Inteligjencës’. Na duhet një mbulim në formën e biznesit ose të gazetarisë.”

Pavarësisht hileve të ndyra të ministrave, ambasadorëve, agjentëve dhe mercenarëve të regjimit klerikal, dimensione të reja të terrorizmit kibernetik të regjimit iranian ekspozohen çdo ditë. Dje, firma e sigurisë kibernetike FireEye shpalli se një grup hacker-ësh të lidhur me institucionet qeveritare në Iran kishte lëshuar sulme të mëdha kundër kompanive të naftës së Lindjes së Mesme dhe kundër shënjestrave të tjera ndërkohë që sanksionet e naftës po afrohen.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit
Komiteti i Sigurisë dhe Anti-Terrorizmit
19 shtator 2018