Saturday, February 4, 2023

Ministria e Inteligjencës së Regjimit klerikal si dhe Forcat terroriste Quds po përdorin Channel 4 të Britanisë kundër refugjatëve iranianë në Shqipëri

 Të premten, më 10 gusht, 2018, një ekip televiziv me tre persona, në mënyrë të fshehtë e pa njoftim paraprak, filmoi dhe fotografoi brenda vendbanimit të anëtarëve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK), refugjatë në Shqipëri, nga një vend ngjitur.

Agjentë vendas shqiptarë të sigurisë, të cilët e pikasën këtë akt të dyshimtë e të jashtëligjshëm i kërkuan të mos filmonin dhe t’ua dorëzonin filmimet. Por anëtarët e ekipit, të cilët u prezantuan si britanikë që punojnë për televizionin britanik Channel 4 TV, e shpërfillën këtë kërkesë dhe vazhduan punën derisa erdhi policia shqiptare dhe i shoqëroi për në rajonin e policisë.

Në rajon, u bë e qartë se njëri prej këtyre tre individëve kishte një kartelë shtypi britanike nga ITN e Britanisë ITN, që kishte skaduar në mars 2018. Dy të tjerët, të cilët ishin paraqitur në mënyrë të rreme si britanikë, refuzuan të jepnin një kartë identiteti, dhe më pas u zbulua që ishin shqiptarë. Këta të dy kishin bashkëpunuar më përpara me disa mercenarë të regjimit iranian për të përgatitur një tjetër program televiziv kundër PMOI-MEK. Njëri prej tyre, Vincent Triest, që është edhe qytetar hollandez, udhëton shpesh për në Iran.

Ditën tjetër, lajmi i vizitës së tyre në vendbanimin e PMOI dhe fotografitë e bëra atje u shfaqën në faqen e Facebook-ut të Massoud Khodabandeh, një agjent famëkeq i Ministrisë së Inteligjencës së regjimit iranian (MOIS), si dhe në faqen e internetit Iran-Interlink që drejtohet nga MOIS. Kështu, u bë e qartë se ky ekip audio-vizual nga Channel 4 është në komunikim aktiv me këtë agjent inteligjence të regjimit iranian dhe ka marrë detyrën për të përgatitur një program për të denigruar PMOI. Por kur MOIS e kuptoi se publikimi i lajmit dhe fotove e kishte njollosur komplotin e saj kundër Muxhahedinëve, dha urdhër që ato të hiqen më 12 gusht.

Filmimi i fshehtë dhe i panjoftuar i rezidencës së PMOI u bë pavarësisht faktit se Channel 4 dhe ITN mund t’i kishin kontaktuar shumë kollaj përfaqësuesit e PMOI dhe NCRI në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në rajonin e policisë, u zbulua edhe se ky ekip i kishte kontaktet e përfaqësuesve të PMOI.

Një kërkim i mëtejshëm zbuloi se një person tjetër, Darius Bazargan, i cili ndonjëherë prezantohet si korrespondent i NBC, herë të tjera si korrespondent i ITN, dhe ndonjëherë si producent i pavarur, është njëri nga personat e përfshirë në projekt. Postimet e tij në Twitter gjatë gjashtë muajve të fundit tregojne armiqësinë e tij histerike ndaj PMOI. Ai e ka përshkruar madje komplotin terrorist kundër tubimit të madh të iranianëve në Paris më 30 qershor dhe arrestimin e diplomatit terrorist të regjimit, Assadollah Assadi, i cili, sipas zyrtarëve belgë e gjermanë, ua ka dhënë personalisht bombën terroristëve, si një “histori e mjegullt”.

Ai transmeton pretendimet e rreme të Mostafa Mohammadi-t, një tjetër agjent i MOIS, se PMOI ia ka rrëmbyer dhe ia ka marrë peng vajzën. Znj. Somayeh Mohammadi, 38, është anëtare e PMOI e cila e ka refuzuar kërkesën e Mostafa Mohammadi-t për t’u larguar nga Muxhahedinët dhe për të bashkëpunuar me regjimin iranian. Ministria e Inteligjencës e ka dërguar këtë agjent në Shqipëri që nga 8 korriku dhe i ka dhënë si shoqërues një agjent shqiptar të regjimit, Olsi Jazexhi. Mostafa Mohammadi mori një viza nga ambasada irakene në Teheran në vitin 2008 dhe shkoi në Kampin Ashraf për të torturuar psikologjikisht Muxhahedinët. Ai ishte njëri nga liderët e një grupi agjentësh të inteligjencës dhe të Forcave Quds të cilët, që nga shkurti 2010 deri në dhjetor 2011, për 23 muaj, kërcënonin se do të vrisnin e do të digjnin banorët e Kampit Ashraf 24 orë në ditë përmes 320 altoparlantëve (ekzistojnë filmime dhe fotografi).

Marsin e shkuar, një komplot terrorist kundër Muxhahedinëve në Shqipëri, që kishte për qëllim të bombardonte ceremoninë e Norouz-it, u parandalua dhe dy iranianë, që u prezantuan si gazetarë, u arrestuan. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e zbardhi komplotin më 19 prill, 2018. Edhe Departamenti amerikan i Shtetit e ka dokumentuar këtë atentat të pasukseshëm terrorist në raportin e tij të korrikut 2018 mbi terrorizmin e regjimit të mullahëve.

Ali Fallahian, ish Ministri i Inteligjencës së regjimit, gjatë mandatit të së cilit u krye numri më i madh i vrasjeve terroriste në vende të huaja, tha më 9 korrik, 2017: “Ministria e Inteligjencës ka nevojë për mbulim për të mbledhur informata, qoftë brenda apo jashtë vendit. Ne nuk dërgojmë zyrtarë inteligjence në Gjermani apo në Shtetet e Bashkuara për të thënë ‘unë jam nga Ministria e Inteligjencës’. Na duhet një mbulim biznesi apo gazetarie.”

Më 10 gusht, menjëherë pas ardhjes së ekipit të filmimit të Channel 4, një zëdhënës për shtyp i  PMOI i shkroi një letër urgjente redaktorit të kanalit televiziv, ku tregonte historinë dhe kërcënimet me të cilat përballen Muxhahedinët në Shqipëri: “Jemi shumë të shqetësuar se videot e filmuara do të bien në duart e Ministrisë iraniane të Inteligjencës,” por nuk mori asnjë përgjigje. Ai i dërgoi një letër tjetër redaktorit më 13 gusht rreth publikimit të fotografive, ku përshkruante historinë e agjentit të MOIS, Khodabandeh, dhe bashkangjitur kishte dy raporte nga një grup parlamentar i Mbretërisë së Bashkuar dhe nga Divizioni Federal Amerikan i Kërkimit të Bibliotekës së Kongresit rreth varësisë së tij nga MOIS, si dhe kërkonte një shpjegim nga redaktori. Letra mbetet pa përgjigje.

Komiteti i NCRI për Sigurinë dhe Anti-Terrorizmin paralajmëron për keqpërdorimin e Channel 4 nga fashizmi fetar që sundon Iranin për të mbledhur informata për akte të mëvonshme terroriste, dhe thekson nevojën urgjente që ky televizion t’u përgjigjet shpejt dhe në mënyrë të qartë pikave që vijojnë, të cilat janë ngritur në letrën e dytë të dërguar nga zëdhënësi për shtyp dhe që kanë mbetur deri tani pa përgjigje:

  1. Cili është misioni i ekipit të dyshimtë të filmimit, kush i ka zgjedhur anëtarët e tij, dhe cilat ishin kriteret për zgjedhjen e tyre?
  2. Pse u filmua videoja në mënyrë të fshehtë nga brenda vendbanimit pa dijeninë e banorëve dhe të përfaqësuesve të tyre të cilët mund të kontaktoheshin me lehtësi?
  3. Pse ky ekip ia ka dhënë fotot dhe videot e tij Iran-Interlink-ut dhe Khodabandeh-ut?
  4. Me kë tjetër janë ndarë këto foto dhe video?
  5. Dhe si përfundim, të gjitha filmimet dhe fotografitë duhet t’i kthehen përfaqësuesve të banorëve sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mos i jepen askujt tjetër.

 

Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit Komiteti i Sigurisë dhe Anti-Terrorizmit 16 Gusht, 2018