Thursday, March 28, 2024

Mashtrimi Bërthamor i Regjimit Iranian

Vitin e shkuar, u bë e ditur se regjimi iranian nuk ka qenë i sinqertë gjatë zhvillimit të negociatave për paktin bërthamor. Intelligjenca e huaj zbuloi – duke shtënë në dorë dhjetëra mijëra dokumenta, foto dhe dosje – se planifikimi bërthamor i Iranit ishte shumë më i avancuar se ç’pretendonte regjimi. Dëshmitë mundën të tregonin se në vitet e para të shekullit, Irani po planifikonte të prodhonte e të zhvillonte një raketë që do të mund të hidhte armë bërthamore. Plani ishte emërtuar “Plani Amad”.

Irani pretendoi se ky plan u la pas dore nga fundi i 2003-it, por në fakt ai thjesht e kishte fshehur planin nën një maskë tjetër.

Kërkuesit e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive dhe të Institutit për Shkencë e Siguri Ndërkombëtare e kanë konfirmuar gjithashtu se pas analizimit të arkivit bërthamor, Irani e kishte fshehur nivelin e programit të zhvillimit bërthamor nga Perëndimi. Ata kanë arritur gjithashtu në përfundimin se Irani po i shkel rregullat për mos-proliferimin bërthamor.

Është shumë e qartë se Irani duhet të monitorohet me shumë më tepër kujdes, sidomos nisur nga mashtrimet e tij në të shkuarën. Kërcënimi bërthamor i Iranit nuk duhet të nënvlerësohet dhe është e rëndësishme që qeveritë ta shqyrtojnë plotësisht këtë kërcënim. Qeveritë duhet gjithashtu ta mbajnë përgjegjës regjimin iranian për veprimtaritë e tij.

Kërkuesit rekomanduan që të ndreqen të metat dhe cenet e shumta në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) – sidomos për sa i përket klauzolave të përfundimit, inspektimeve dhe programit të raketave balistike. Ata rekomandojnë gjithashtu që të krijohet një marrëveshje bërthamore më e plotë, e cila të mbulojë të gjitha çështjet periferike që kontribuojnë në rrugën e Iranit drejt armëve bërthamore.

IAEA – Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike – e cila mbikëqyr implementimin e paktit bërthamor të 2015-ës nuk mundet të konfirmojë nëse Irani vazhdon të kryejë veprimtari të lidhura me programin e tij të armëve bërthamore.

Arkivi bërthamor tregon se edhe IAEA është mashtruar nga regjimi iranian dhe se inspektorët e IAEA janë gënjyer paturpësisht gjatë inspektimeve. Për shembull, arkivi përmban detaje rreth disa objekteve bërthamore të cilat IAEA dhe agjensitë e inteligjencës së huaj as nuk e dinin se ekzistonin.

Të gjitha këto na bëjnë të dyshojmë nëse Irani po vepron vërtet në përputhje të plotë me JCPoA-në. Në fakt, të gjitha të dhënat tregojnë se nuk po u bindet rregullave. Sigurisht, shpirti i marrëveshjes po shpërfillet plotësisht nga Irani.

Në vazhdim, IAEA duhet ta marrë informacionin nga arkivi bërthamor dhe të verifikojë çdo detaj lidhur me ndërtesat, zonat dhe lokacionet e përmendura në të. Irani duhet gjithashtu të detyrohet që të bashkëpunojë plotësisht me këto përpjekje. Personeli duhet të merret në pyetje dhe asgjë nuk duhet të mbetet pa përgjigje. Dhe sigurisht, Irani duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij.

Shtetet e Bashkuara janë larguar tashmë nga pakti bërthamor, dhe Presidenti Trump ka shpjeguar se një regjim luftarak nuk duhet të lejohet të korrë përfitimet e këtij pakti. Nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes e kanë për detyrë të sigurohen që pakti t’i arrijë qëllimet e veta.