Thursday, March 28, 2024

Khamenei, Rouhani Urdhëruan Sulmin me Bombë Kundër Mbledhjes Free Iran 2018 në Paris  

 

 Zyrat e regjimit iranian në Europë duhet të mbyllen, dhe agjentët e tij të inteligjencës dhe Forcës Quds duhet të përjashtohen

Prokurori Federal gjerman shpalli në deklaratën e tij më 11 korrik se gjykata gjermane kishte urdhëruar arrestimin e Assadollah Assadi, një diplomat terrorist i mullahëve, me akuzën e spiunazhit dhe bashkëpunimit për vrasje.

Ai ishte arrestuar më përpara më 1 korrik bazuar në një urdhër arresti europian. Sipas deklaratës, Assadi kishte paguar një çift banues në Antwerp në mars 2018 për të kryer një sulm me eksplozivë mbi mbledhjen e madhe të përvitshme të iranianëve në Francë më 30 qershor, 2018, dhe i kishte dhënë atyre 500 gramë eksplozivë TATP në Luksemburg në fund të qershorit. Deklarata shton se, Assadi ishte anëtar i “Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë,” detyrat e së cilës “përfshijnë kryesisht mbikëqyrjen intensive dhe luftimin kundër grupeve opozitare brenda dhe jashtë Iranit.” Deklarata shton se urdhër arresti gjerman nuk do ta pengojë kërkesën e Belgjikës për ekstradimin e të dyshuarit.

Prokurorët dhe agjentët e sigurisë të Belgjikës i kanë përshkruar dy terroristët e arrestuar në Belgjikë si një nga qelizat e fjetura të regjimit që ishte drejtuar nga Assadi për shumë vite (De Standaard- 4 korrik), dhe një zëdhënës belg i drejtësisë ka thënë, “Praktikisht të gjithë nëpunësit e ambasadave iraniane janë pjesë e Shërbimit Sekret Iranian.” (NBCnews.com- 6 korrik).

Sipas inteligjencës së besueshme nga brenda regjimit, vendimi për këtë akt terrorist ishte marrë muaj më parë nga lideri suprem i Iranit, presidenti, ministrat e jashtëm dhe të inteligjencës, sekretari i Këshillit Suprem Kombëtar të Sigurisë, Garda Revolucionare, Forca Quds, Organizata e Inteligjencës së IRGC, dhe përfaqësuesi për punët politike dhe të sigurisë i zyrës së Khamenei-it. Ministria e Inteligjencës dhe Assadollah Assadi, shefi i stacionit të MOIS në Austri, ishin caktuar për të kryer operacionin. Që disa vite më parë, stacioni i MOIS në Vienë ishte bërë koordinatori i stacioneve të MOIS në Europë.

Assadi është një nga agjentët veteranë të MOIS i cili ishte vendosur në Vienë që nga viti 2014 nën maskën e një Këshilltari të Tretë. Zyra e tij ishte në dhomën nr. 200 në katin e tretë të ambasadës. Detyra kryesore e tij ishte spiunazhi dhe komplotimi kundër Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), dhe ai ka udhëtuar në vende të ndryshme europiane në lidhje me këtë detyrë. Përpara Assadi-it, Mostafa Roodaki ishte në krye të stacionit të MOIS në Vienë. Roodaki u transferua më parë në Teheran dhe më pas në 2017 u dërgua në Tiranë në mënyrë që të merret me komplotime kundër PMOI në Shqipëri.