Amnesty Dënon Regjimin e Iranit për Rrahjen me Kamzhik të të Riut për Shkak të Pirjes së Alkoolit në Moshën 15 Vjeçare

416

Amnesty International ka dënuar Regjimin Iranian për rrahjen e “llahtarshme” dhe “absolutisht tronditëse” me kamzhik të një të riu, për shkak të krimit të supozuar të konsumimit të alkoolit në një dasëm në moshën 14 apo 15 vjeçare.

Grupi i të drejtave të njeriut ka nxjerrë një deklaratë në mbrëmje të së mërkurës, e cila thotë se ky akt brutal dënimi trupor shkel ligjin ndërkombëtar si dhe konventat ndërkombëtare mbi të drejtat civile dhe të fëmijëve.

I riu, i identifikuar vetëm si M.R., është rrahur publikisht me kamzhik 80 herë në Sheshin Niazmand, Kashmar, në Provincën Razavi Khorasan, të martën, për krimin që supozohet të ketë kryer dhjetë vjet më parë kur ishte adoleshent.

Amnesty ka bashkangjitur një foto në deklaratën e saj, që tregon një djalë të ri të lidhur tek një pemë, tek rrahej me kamzhik nga një burrë me maskë, ndërsa njerëzit shihnin. Ata nuk mund ta verifikonin foton në mënyrë të pavarur, por kanë konfirmuar se ajo ishte nga mbulimi që i kanë bërë lajmet iraniane incidentit.

Drejtori i Amnesty për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Philip Luther, ka thënë: “Rrethanat e këtij rasti janë absolutisht tronditëse, dhe përfaqësojnë një tjetër shembull të llahtarshëm të prioriteteve të shtrembëruara të autoriteteve iraniane. Askush, pavarësisht moshës, nuk duhet të rrahet me kamzhik; fakti që një fëmijë është ndjekur penalisht për konsumim alkooli dhe është dënuar me 80 goditje është i pabesueshëm.”

Ai vazhdoi: “Përdorimi i shumtë i dënimit trupor nga autoritetet iraniane, përfshirë tek fëmijët, tregon një mospërfillje tronditëse për njerëzinë bazë. Ata duhet t’i heqin menjëherë të gjitha format e këtij lloj dënimi, i cili në Iran përfshin amputimin dhe verbimin përveç rrahjes me kamzhik… Është thjesht e papranueshme që autoritetet iraniane vazhdojnë t’i lejojnë dënime të tilla dhe t’i justifikojnë ato në emër të mbrojtjes së moralit fetar.”

Në vijim ai theksoi së këto veprime të Regjimit janë të jashtëligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, pasi Irani ka firmosur Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, e cila ndalon torturën dhe trajtime apo ndëshkime të tjera mizore, çnjerëzore dhe poshtëruese.

Amnesty tha që ky akt thekson natyrën çnjerëzore të sistemit brutal të drejtësisë iraniane. Vetëm në 2018, Regjimi Iranian ka kryer shumë ndëshkime të tjera mizore, duke përfshirë prerjen e dorës së një burri për vjedhje.

Ka mbi 100 “krime” që janë të ndëshkueshme me rrahje me kamzhik sipas ligjit iranian, përfshirë vjedhjen, vandalizmin, shpifjen, tradhtinë bashkëshortore, marrëdhëniet intime mes burrave dhe grave të pamartuar, “shkeljen e moralit publik”, dhe marrëdhëniet midis personave të të njëjtit seks.

Për shkak të këtij abuzimi të llahtarshëm të të drejtave njerëzore, të gjitha vendet në botë që janë të përkushtuara ndaj të drejtave njerëzore duhet t’i ndërpresin lidhjet me Iranin dhe ta kushtëzojnë rivendosjen e këtyre lidhjeve në përmirësimin e të drejtave njerëzore. SHBA e ka marrë tashmë vendimin e duhur në këtë aspekt dhe është koha që edhe BE të marrë persiper përgjegjësinë.