Të hënën më 4 shkurt, ish drejtori i FBI-së Louis Freeh foli në një konferencë në Bruksel rreth kërcënimit iranian për sigurinë.
Anëtarët e tjerë të panelit në këtë eveniment të zhvilluar në zyrat qendrore të Parlamentit Europian përfshinin ish Zëvendës Presidentin e PE-së Alejo Vidal-Quadras, gazetarin francez dhe ish agjentin e inteligjencës Claude Moniquet, anëtarin e opozitës iraniane Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) Farzin Hashemi, ish Ministrin e Jashtëm italian Giulio Terzi dhe ish shefin francez të inteligjencës Yves Bonnet.
Freeh theksoi politikat e dështuara të paqësimit ndaj Iranit të cilat po e sabotojnë sigurinë, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Europë e në shumë rajone të tjera. Ai tha se, duke parë historinë, “rreziqet dhe pasojat e paqësimit të pavend” duhet të shërbejnë si mësim.
Ai theksoi gjithashtu shkallën e operacioneve terroriste të organizuara nga Irani dhe nënvizoi se nuk janë vetëm një grup i vogël “banditësh” apo individësh që po performojnë e organizojnë sulme terroriste dhe kriminale. Qeveria e Iranit dhe zyrtarë të niveleve të larta janë të përfshirë në këtë gjë dhe kjo duhet të shërbejë si alarm, për arsye se kërkon veprim deciziv dhe të ashpër.
“Është qartësisht e drejtuar, e financuar, e kontrolluar nga shteti, dhe kontrollohet nga njerëzit që kanë nivelet e pushtetit në Republikën Islamike – Udhëheqësi Suprem, Presidenti, IRGC, dhe MOIS, qoftë në shpërthimin e objekteve hebreje në Argjentinë apo në vrasjen e 19 amerikanëve dhe shumë të tjerëve në Kullat Khobar.”
Duke folur për natyrën e regjimit, Freeh tha se terrorizmi kundër armiqve të tij është një gjë në të cilën regjimi mbështetet. Ai dha shembuj të veprimtarive vdekjeprurëse kundër anëtarëve të opozitës në mbarë botën dhe kundër aktivistëve. Ai tha se këto sulme e vrasje formojnë një “model dhe praktikë” për të arritur atë që regjimi nuk mund ta arrijë përmes mjeteve të ligjshme – d.m.th. mbijetesën. Regjimi, tha ai, është qartësisht “i dëshpëruar për të ruajtur ndikimin dhe kontrollin e tij”.
Ai e paralajmëroi Bashkimin Europian kundër politikave të paqësimit ndaj Iranit, duke thënë se nuk mund të kesh një marrëdhënie të mirë me një vend që përbën kaq kërcënim për sigurinë tënde. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë marrë një pozicion të fortë kundër regjimit iranian dhe i kujtojnë BE-së se, nëse nuk mund t’i besosh një partneri, nuk duhet të bësh biznes me të. “Nëse raporti thotë se ky person gënjen, mashtron e vjedh, dhe në këtë rast përpiqet edhe të të vrasë, ndoshta nuk të leverdis të bësh biznes me të. Është rregulli i artë për marrëdhëniet njerëzore.”
Freeh tha se fakti që autoritetet iraniane kanë qenë të përfshira në komplote për të vrarë anëtarë të opozitës në tokën europiane duhet të merret shumë seriozisht. Veçanërisht kur nuk është thjesht një incident i vetëm i izoluar, por një “mënyrë e institucionalizuar për të bërë biznes” e cila do të vazhdojë për sa kohë që BE e toleron.
Ai tha gjithashtu se të sanksionosh vetëm një pjesë të njërës prej agjensive të përfshira “përçon një ndjesi dobësie” dhe i tregon regjimit se po e paqësojnë. Të thuash se kjo sjellje nuk do të tolerohet, ndërkohë që e lejon të ndodhë, është, siç e përshkruan Freeh, një “dritë jeshile për regjimin”.
“E vetmja gjë që ky regjim kupton dhe respekton është forca e besueshme, e qëndrueshme, e zbatuar, dhe sanksionet e aplikuara të cilat e kanë çuar ekonominë në pikën ku, ndoshta, populli atje, për herë të parë në disa dekada, do të ketë mundësinë të jetë i lirë.”
Në fund, ai i këshilloi vendet që do të marrin pjesë në samitin e Varshavës që të ndërmarrin aksion shumë të fortë kundër regjimit.