Sunday, February 5, 2023

Irani dhe negociatat: Helm apo Kurë?

A konsiderohen negociatat helm apo kurë për regjimin iranian

Analizë nga uebsiti i PMOI/MEK

Iran, 19 maj 2019 – Në përpjekje për t’i qetësuar frikërat e një lufte të mundshme me forcat amerikane, lideri suprem i regjimit iranian Ali Khamenei u tha shokëve të tij të shqetësuar: “Nuk do të ketë luftë dhe negociatat janë helm.”

Por përpjekja e tij për ta qetësuar këtë frikë nuk qe e efektshme dhe më pak se një ditë pas komenteve të tij, u shfaqën nga të dyja grupimet shenja të bisedimeve me SHBA-në. Kjo vjen në një kohë kur grupimi i Khamenei-t vazhdon ta sulmojë grupimin rival për faktin që kërkon mënyra se si t’u nënshtrohet kërkesave të SHBA-së.

Vetëm një ditë pasi Khamenei tha ‘Negociatat janë helm’, nga të dyja grupimet u dëgjuan zëra që përsërisnin nevojën për bisedime dhe pranonin madje termat dhe kushtet ndërkombëtare duke treguar se ka përçarje mes elitës sunduese.

 

Krizë pa fund

Kontrasti mes idesë së promovuar nga mediat e elementët e regjimit dhe asaj të liderit suprem, pa dyshim, i ka rrënjët në krizën e pafund që ka mbërthyer gjithë sistemin pa një zgjidhje në horizont. E vërteta është se, para se Khamenei dhe elita sunduese të mbajnë turpin e dialogut apo rrezikun e konfrontimit me Perëndimin dhe komunitetin ndërkombëtar, ata po përballen me një krizë më urgjente e më madhore brenda vendit në një konfrontim mes popullit dhe sistemit në tërësi.

Shqetësimi i vërtetë që e trondit sistemin nuk vjen edhe aq nga jashtë, por nga brenda, ku populli dhe  “Njësitë e Rezistencës” – të lidhura me grupin opozitar iranian Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) – kanë dalë nëpër rrugët e Teheranit e të qyteteve të tjera të mëdha.

Prandaj, në rrethanat aktuale, negociatat për regjimin, siç është shprehur edhe vetë Khamenei, janë helm që do të hynte në trupin e tij e do ta pushtonte me shpejtësi të gjithë sistemin, duke e shtyrë drejt një vdekjeje të nxituar.